Më në fund vendoset për armëpushim në Siri

10.09.2016 22:32:58

Qeveria siriane e ka aprovuar marrëveshjen për paqe ë u arrit të shtunën nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia, raporton agjencia shtetërore siriane e lajmeve SANA.

Një armëpushim mbarëkombëtar po planifikohet të fillojë në mbrëmjen e së hënës, pas bisedimeve të gjata që u mbajtën në mes fuqive botërore në Gjenevë.

Ky medium shtetëror, ka bërë me dije se ndërprerja e luftimeve do të fillojë në Aleppo për arsye humanitare.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia kanë arritur një marrëveshjes për Sirinë duke filluar me një armëpushim nga e hëna.

Sipas këtij plani, qeveria e Sirisë do të ndalojë luftërat në rajone të ndryshme që mbahen nga opozita.

Rusia dhe ShBA-të do të bashkohen për ta luftuar të ashtuquajturin Shtetin Islamik dhe luftëtarët e al-Nusras.

Njoftimi për marrëveshjen ka ardhur pas takimeve në mes në Sekretarit të Shtetit Amerikan, John Kerry dhe homologut të tij rus, Sergei Lavrov.

Plani kërkon nga të gjitha palët e marrëveshjes që të “kryejnë obligimet e tyre”, ka thënë Kerry.

Ndërsa Lavrov ka thënë se Rusia e ka informuar qeverinë e Sirisë rreth marrëveshjes dhe se ata “janë gati t’i plotësojnë detyrat e tyre”

Ministri rus po ashtu ka deklaruar se tani do të bëhet e mundur që “të ndahen terroristët nga forcat e moderuara opozitare”.