Media në funksion të rrënimit të gazetarisë: rasti i Sami Lushtakut me TV7

08.09.2018 20:07:18

Nga Rexhep Kastrati

Gazetaria skandaloze dhe senzacionale që e bëjnë mediet te ne, në fakt, është vetë skandali më i madh, pasi që jo vetëm se është devijuar funksioni themelor i tyre, por edhe profesionalizimi dhe autonomia e tyre.

Rasti i ndërhyrjes së Sami Lushtakut për të penguar transmetimin e një kronike televizive lidhur me korrupsionin në Këshillin e Bashkësisë Islame në Skënderaj, i realizuar pas botimit të vazhdimit të parë të shkrimit të autorëve Gazmend Hoti dhe Isa Mulaj,  të botuar më 20 qershor në fokusi.org, është skandal më vete, pasi që jo vetëm se paraqet rastin eklatant të ndërhyrjen në lirinë e medieve, por më keq se kaq, paraqet rastin eklatant të ndërtimit të raporteve të varura që janë si pasojë e marrëdhënieve që pronarë të emdieve kanë me subjekte dhe individë të jashtëm.

Është e kuptueshme se bëhet fjalë për lidhjet që kanë Sami Lushtaku me Berat Buzhalën, e që duket se janë më të fuqishme se çdo kriter profesional, të autonomisë dhe lirisë mediale, dhe bëjnë të mundur që të pamundësohet informimi i drejtë, profesional dhe me kohë i qytetarëve, duke nxjerrë të keqprdorur dhe të mashtruar të gjithë ata që mund të kenë qenë pjesë e kornikës në fjalë.

Në kushtet kur lidhje jashtëprofesionale, private dhe pse jo edhe të ndonjë forme korruptive apo kriminale, janë shumë të forta, është shumë e qartë se nuk mund të bëhet gazetari, por vetëm mund të prodhohen skandale të kësaj natyre, apo edhe të natyrave edhe më të rënda, siç janë shantazhimi i personaliteteve të profileve të ndryshme, të subjekteve politike, institucionale dhe biznesore, duke krijuar kështu nga mediet dhe portalet formacione që nuk kanë lidhje me gazetarinë, kurse mediet dhe portalet duke i shndërruar në armë me të cilat ndërtohen dhe realizohen forma jashtëgazetareske dhe jashtëmediale.