Në Hong Kong evakuohen banorët e një ndërtese – dyshohet se coronavirusi u transmetua përmes tubave të ujit

12.02.2020 20:25:44

Autoritetet shëndetësore në Hong Kong kanë vendosur në karantinë afro 100 banorë që jetojnë në të njëjtin kompleks apartamentesh, pasi dy banorë u testuan pozitivë për coronavirusin e ri, ose COVID-19.

Sipas mediave të huaja banorët e prekur nga sëmundja – një grua 62-vjeçare dhe një pacient mashkull 75-vjeçar – jetuan në kate të ndara të ndërtesës, duke ngjallur frikën se virusi mund të transmetohej përmes tubave të ujit.

Qendra për Mbrojtjen e Shëndetit të Hong Kong-ut tha se po hetonin nëse të dy rastet ishin të lidhura apo jo dhe u bëri thirrje banorëve që të pastrojnë dhe dezinfektojnë tubat dhe të heqin kapakun e tualetit përpara se të lëshojnë ujin.

Një frikë e tillë, siç thuhet më tej, vjen nga një përvojë e Hong Kongut, nga kujtimet e shpërthimit të SARS në 2003 i cili vrau mbi 100 njerëz në rajon.

Siç thuhet më tej, më shumë se 300 nga rastet e SARS në Hong Kong kishin qenë të lidhura me një kompleks të madh apartamentesh, në të cilin virusi u përhap nëpër sistemin e kanalizimit dhe ndotjen e mjedisit, zbuloi një hetim i qeverisë së Hong Kong-ut.

Me rekomandimin e ekspertëve, qeveria ka vendosur në karantinë banorët që jetojnë në të gjitha njësitë, në 30 kate të veçanta.

Coronavirusi – zyrtarisht i quajtur COVID-19 – u raportua për herë të parë në fund të dhjetorit në Wuhan, Kinë.

Aktualisht ka 50 raste të virusit në Hong Kong dhe njerëzit që vijnë nga territori i Kinës u kërkohet të kalojnë në karantinë për 14 ditë.