Ngritet aktakuzë ndaj ish-ministrit Numan Baliq për sulm seksual

29.09.2020 16:53:52

Prokuroria Themelore e Pejës, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Shëndetësisë, Numan Baliq për shkak të veprës penale “Sulm Seksual”.

Kështu është bërë e ditur përmes një komunikate për medie nga prokuroria në Pejë.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri N.B., me datë  12 gusht të këtij viti , në  ora 22:00, në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, në cilësinë e profesionistit shëndetësor, duke keqpërdorur gjendjen shëndetësore të viktimës, i pandehuri  cyt të dëmtuarën  që ta prek për qëllime seksuale, pa pëlqimin e saj, derisa viktima arrinë të largohet nga i pandehuri dhe kërkon ndihmë fillimisht nga rojet e sigurisë , e me pas e raporton rastin  në Policinë e Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Sipas Prokurorisë në Pejë, me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se, i pandehuri  ka përmbushur elementet e veprës penale të përshkruar si me lartë.

“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë”, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, rreth një muaj më parë ish-ministri i Shëndetësisë, Numan Baliq është arrestuar nga Policia nën dyshimin se i njëjti në vendin e tij të punës  në Spitalin e Pejës, ka sulmuar seksualisht një 23-vjeçare.