Nuk ka më marre sesa të mbrosh skandalet, korrupsionin dhe punët tjera të këqija të Ramadan Mujës

23.09.2017 20:18:06

Nga Rexhep Kastrati

Në fushata zgjedhore durohet gjithçka, edhe morali i munguar politik i PDK-së, e cila që nga viti 2007, pra që 10 vjet është në pushtet në komunën e Prizrenit dhe që ka realizuar aq shumë skandale në arsim, në infrastrukturë, në kulturë dhe në segmente të tjera të rëndësishme për vendin.

Është e kuptueshme që në konferencë me gazetarë të mos dalë askush nga zyrtarët komunalë që me vite janë ballafaquar dhe ballafaqohen me procese gjyqësore, madje edhe janë dënuar, e që kanë qenë bartës të pushtetit komunal në qytetin më të rëndësishëm kulturo-historik të Kosovës, por nuk është e kuptueshme se si mund që edhe këta pasuesit e tyre, marrin përsipër të mbrojnë keqqeverisjen skandaloze të këtyre 10 viteve.

Është kështu, për faktin se të qeverisësh 10 vjet dhe të mos zgjidhësh problemet thelbësore për qytetarët, kur buxheti vjetor ka qenë nga dhjeta milionë euro, e që i bie mbi është vërtet e pajustifikueshme, sepse me këto mjete financiare kanë mundur të ndërtohen nga fillimi të gjitha sistemet: të ujësjellësit, të urbanizimit të qytetit dhe të fshatrave, të rinovimit dhe të mirëmbajtjes së monumenteve kulturore etj.

Të thuash se në sistemin e ujësjellësit janë investuar një milionë euro, vërtet është të mos kesh fare marre, kurse të thuash se do të investohen miliona në shtratin e “Lumëbardhit”, do të thotë jo vetëm të mos kesh fare marre, por edhe të pranosh se kandidati i LDK-së, dr. Baxhaku ka pasur të drejtë kur ka thënë se nuk është rregulluar shtrati i këtij lumi.

Masakra urbane vërhet gjithandej dh sa herë që dal në qytet, duhet të kem kujdes që të ruhem se mos më bie nodnjë gjë mbi kokë nga ballkonet e apartamenteve që janë ndërtuar në pjesë të qytetit ku nuk lejohet me asnjë normë urbane dhe arkitektonike. Mjafton të kalohet nëpër rrugën në atë që prizrenasit e quajnë “Lagjja e re” nga udhëkryqi te tregu i gjelbërt dhe të bindesh për këtë.

Në fund të fundit, sot kandidati i LDK-së për kryetar komune ka përmendur premtime konkrete që nuk janë mbajtur, edhe pse janë premtuar në të gjitha zgjedhjet lokale dhe të prëgjithshme që nga viti 2007. Madje janë premtuar edhe investime dhjetra dhe qindra miliona eurove, të cilat kurrë nuk kanë ndodhur. Ai nuk ka përmendur fare skandalet e ndryshme, proceset gjyqësore të Ramadan Mujës dhe të zyrtarëve të tjerë të qeverisjes dhjetë vjeçare të PDK-së.