Nuk mbahet gjykimi për tjetërsim të automjetit përmes falsifikimit të dokumenteve

24.05.2018 00:29:43

Për shkak se munguan njëri prej të akuzuarve dhe i dëmtuari i këtij rasti me avokatët e tyre në Gjykatën e Gjakovës ka dështuar të mbahet seanca fillestare ndaj tre të akuzuarve për veprat penale të mashtrimit dhe të falsifikimit të dokumenteve.

Të akuzuar në këtë rast janë Granit Gojani, Faton Skenderaj dhe Shaqir Vula.

Ata do të duhej të përballeshin me akuzat e Prokurorisë Themelore në Gjakovë.

Në seancë të pranishëm ishin i akuzuari Granit Gojani me avokatin e tij Hasan Shala dhe i akuzuari Faton Skenderaj.

Ndërsa nuk ishin prezentë i akuzuari Shaqir Vula me avokatin e tij Teki Bokshi dhe i dëmtuari, Arben Zefiqi, nga Ferizaj, me avokatin e tij Ekrem Shabani.

Gjyqtari Mentor Bajraktari konstatoi se të njëjtit ishin të ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo nuk e kanë arsyetuar mungesën e tyre.

Si pasojë e mungesës së palëve në procedurë seanca u shty për datën 25 qershor.

Për mosplotësimin e kushteve për gjykimin e sotëm u pajtua edhe prokurori i shtetit Bajram Kryeziu.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Granit Gojani në muajin nëntor të vitit 2013 ia shet automjetin të llojit “Alfa Romeo” të akuzuarit Faton Skenderaj, duke e vënë në mashtrim personin tjetër pasi që të njëjtin automjet i akuzuari Granit e kishte blerë nga Arben Zefiqi nga Ferizaj.

Aktakuza sqaron se Granit Gojani nuk e kishte paguar në tërësi veturën dhe nuk e kishte në pronësinë e tij, prandaj nuk ka pasur të drejtë të bëjë tjetërsimin e saj pa e kryer pagesën e plotë. Me këtë ka vënë në mashtrim të akuzuarin Faton Skenderaj.

Ndërsa, i dëmtuari Arben Zefiqi veçse kishte bërë kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Ferizaj për mashtrimin që i kishte bërë i akuzuari.

Me çka dyshohet se Granit Gojani ka kryer veprën penale të mashtrimit.

Ndërsa për të pandehurin e dytë Faton Skenderaj në aktakuzë thuhet se tek noteri Shaqir Vula përpilon dokument të falsifikuar me qëllim të shfrytëzimit të atij dokumenti si origjinal, në atë mënyrë që ditën kritike para noterit paraqet dokumentin e huaj – letërnjoftimin në emër të Arben Zefiqit dhe nënshkruan autorizimin, edhe pse ka qenë dashur që ta dijë se nuk ka të drejtë të nënshkruajë autorizimin në emër të autorit – dhënësit dhe me këtë autorizim bën tjetërsimin e automjetit me dokument të falsifikuar.

Me këto veprime dyshohet se ka kryer veprën penale të falsifikimit të dokumenteve.

Po ashtu, gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri i tretë Shaqir Vula, në cilësinë e noterit me seli në Gjakovë, lëshon dokumentin në emër të ndonjë personi tjetër pa qenë prezent personi që jep autorizimin në emër të personit Arben Zefiqi nga Ferizaj, e legalizon autorizimin, e që të njëjtin autorizim e nënshkruan personi tjetër në këtë rast i akuzuari i dytë Faton Skenderaj, pa pasur të drejtë të vërë nënshkrimin e tij, me çka edhe është tjetërsuar automjeti në dëm të të dëmtuarit duke i shkaktuar dëm në vlerë prej 3.000 euro.

Me të njëjtat veprime dyshohet se ka kryer veprën penale te rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve.