Osman Musliu rrëfen bisedën me Shaban Jasharin para sulmit në Prekaz

05.03.2019 23:03:56
Hoxha nga Drenasi, Osman Musliu ka treguar detaje para sulmit të forcave serbe mbi familjen Jashari në Prekaz me 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998.

Musliu, në RTV Dukagjini ka thënë se pas sulmit që forcat serbe i bënë familjes Jashari me 22 janar të po atij viti,  si imam që ishte në Drenas kishte vendosur bashkë me disa persona të tjerë të vizitonte familjen Jashari.

“Ndodhi sulmi i parë ndaj tyre dhe shkuam për ta vizituar. Më kujtohet më tha baci Shaban: ‘ke ardhur hoxhë i ri në Drenas, po flasin njerëzit fjalë të mira për ty’. I thashë mbase po flasin njerëzit fjalë të mira kam edhe unë një kërkesë për ty. Ju jeni përgatit na po e shohim çfarë po doni dhe në një farë forme i keni shpallur luftë Serbisë pasi nuk po doni të dorëzoheni. Ti me shpirtin tënd mund të bësh çfarë të duash por me këta fëmijë e këto gra…”.

“… Më tha: ‘Hoxhë, kështu jemi përgatit dhe kështu po duan, inshallah Zoti na ndihmon’. Ajo familje është përgatitur për këtë situatë në bazë të sjelljes dhe historisë së tyre”, tha ai.

Hoxha nga Drenasi tregon se pas kësaj vizite ndodhen edhe ngjarjet në Likoshan dhe Çirez kur u vranë 24 shqiptarë.

“Pas varrimit në  Likoshan dhe Çirez ku ishin gati gjithë Kosova erdhe edhe 5 marsi. Më kujtohet kur jam zgjuar të fali sabahun, kur po dëgjohen të shtëna armësh. E mora djalin e axhës Murat Musliun pasi ai e njihte më mirë se unë situatën sepse ishte zyrtar i KMDLNJ. Kur dolëm në kodrën e Rezallës ai më tha se po sulmohet familja e Shaban Jasharit”.

Musliu thotë se pasi e vëzhguam situatën një kohë të gjatë, u përpoqëm të marrim në telefon Fehmi Aganin apo Pajazit Nushin por nuk funksiononte linja telefonike.

“E kemi pasur një telefon ajror, dhe ramë në kontakt me ambasadorin e Shqipërisë në Beograd. Ai na tha ne kemi disa informata por jo të detajuara. Pastaj ne i sqaruam situatën”, tha ndër të tjera Osman Musliu.