PDK nuk merr pjesë në seancën e nesërme

03.08.2017 18:24:52

Anëtari i PDK-së Blerand Stavielci tha se PDK-ja nuk do të marr pjesë në seancën e nesërme pasi që sipas tij kryesuesi e ka mbyllur seancën në mënyrë arbitrare.

Ai në një konferencë për media tha se nuk mund të shkojnë në seancën e cila është mbyllur njëanshëm nga kryesuesi i Kuvendit Adem Mikullovci.

PDK: Nuk lejojmë të cenohet kushtetutshmëria dhe vullneti qytetar

Partia Demokratike e Kosovës dënon presionet publike dhe private mbi deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, si përpjekje për dirigjimin e votave të tyre.

Partia Demokratike e Kosovës nëpërmjet Blerand Stavilecit në një konferencë për media  ka apeluar te  subjektet politike parlamentare, që të mos i shantazhojnë të zgjedhurit e popullit, por t’i lënë të lirë, sepse si përfaqësues të qytetarëve, deputetët i nënshtrohen vetëm vullnetit dhe ndërgjegjes së tyre.

“Partia Demokratike e Kosovës shpreh shqetësimin e saj për abuzimet e vazhdueshme, që sot kryesuesi i seancës konstituive i ka bërë gjatë udhëheqjes së saj, duke treguar njëanshmëri dhe duke i ofenduar jo vetëm fituesit e zgjedhjeve, por edhe institucionin e Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Stavileci në konferencë.

Sipas tij përpjekjet e subjekteve politike humbëse të zgjedhjeve për të bllokuar krijimin e institucioneve shtetërore do të dështojnë dhe në asnjë mënyrë nuk do të lejohet  tjetërsimi i vullnetit të qytetarëve të Kosovës, të shprehur në zgjedhjet e 11 qershorit.

“Mentaliteti uzurpues dhe manipulues i partisë Vetëvendosje dhe koalicionit të LDK-së është shqetësues jo vetëm për situatën aktuale, as vetëm për një pozicion politik sic mund të jetë pozita e kryeministrit apo kryeparlamentarit, por për kushtetutshmërinë dhe vullnetin e cenuar qytetar, duke krijuar kështu precedentë që nuk i japin zgjidhje problemit, por e legjitimojnë metodën e tyre uzurpatore për shtetin dhe institucionet”, ka thënë Stavileci.