Përplasen për njohjet por Daçiq ia jep dorën Pacollit në Uashington

29.11.2017 22:27:33

Behgjet Pacolli, Ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku sot ka folur në konferencën e Këshillit të Atlantikut me temën “Po vjen stuhia? Formësimi i të ardhmes së Ballkanit në epokën e pasigurisë”.

Me këtë rast ai ka pasur edhe një shtrëngim të duarve me homologun e tij serb, Ivica Daçiq në Uashington.

Kreu i diplomacisë kosovare  në këtë takim ka vlerësuar se është e domosdoshme të zvogëlohet burokracia, të forcohet ndërmarrësia private dhe të sillen lojtarët globalë në rajon.

Pacolli ka deklaruar se është e nevojshme të thyhen monopolet, duke theksuar se Serbia ka monopol në komunikacionin ajror, bujqësi dhe në sfera të tjera.

Sipas tij, është e nevojshme prania më e madhe e kompanive amerikane në rajon.

“Kosova është shtet i ri, jemi të hapur për partneritet privat si dhe për zona të tregtisë lirë. Daçiq, eja ta shpallim Mitrovicën veriore zonë të lirë tregtare. Sepse vetëm me krijim të punëve mund ta zvogëlojmë ndikimin e politikës”, ka thënë ndër të tjera Pacolli.