Presidenti nuk e dekretoj ligjin e rëndësisë së veçantë (Dokument)

Presidenti nuk e dekretoj ligjin e rëndësisë së veçantë (Dokument)

21.02.2017 16:01:26

Për afro një vit në krye të shtetit, presidenti Hashim Thaçi nuk e ka kthyer asnjë ligj prapa në Kuvend, një e drejtë kjo e garantuar me Kushtetutë.

Megjithatë, ai nuk i ka nënshkruar të gjitha dekretet për shpalljen e ligjeve që janë miratuar nga deputetët.

Pa dekret e ka lënë vetëm një ligj, ndonëse miratimi i tij ishte bërë me procedurë të përshpejtuar për shkak të ndikimit në jetën e banorëve me të rrezikuar në vend nga ajri i ndotur.

Kështu, në mesin e 44 ligjeve që i kanë shkuar në tavolinë, kreu i shtetit e ka lënë pa dekret për shpallje vetëm Ligjin për Zonën e rrezikuar mjedisore të Obiliqit dhe rreth tij.

Rrjedhimisht, ky ligj është shpallur me automatizëm në Gazetën Zyrtare, pas skadimit të afatit prej tetë ditësh kur presidenti është dashur ose ta kthej ose ta nxjerrë dekretin për shpallje të tij.

Kjo është bërë në pajtim më nenin 80.5 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

AktivPress ka insistuar të marr përgjigje nga Presidenca, për arsyen që e ka shtyrë të parin e shtetit për të mos e nxjerr dekretin për shpallje të këtij ligji, por ky institucion nuk ka shprehur gatishmëri që të jap ndonjë sqarim.

Kthimit të mundshëm të këtij ligji në Kuvend, do të mund t’i gëzohej më së shumti deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Melihate Tërmkolli.

Ajo ka qenë e vetmja që ka dalur haptas kundër miratimit të këtij ligji, pasi nuk është pajtuar me përmbajtjen e tij.

Tërmkolli e pati cilësuar si të paarsyeshme edhe urgjencën për ta miratuar këtë ligj.

“T’u u ngut, njerëzit janë duke e thyerë kryet”, pati thënë ajo në seancën e 30 nëntorit të vitit të kaluar.

“Ligji për Obiliqin, ashtu siç është miratuar nuk është ligj për zonat e rrezikuara, por është ligj për fushatë zgjedhore. Kush është duke bërë fushatë zgjedhore me të, unë nuk e di por ky ligj nuk është për zonat e rrezikuara”, ka thënë kjo deputete.

Me bindjen se me këtë dokument nuk është rregulluar asgjë në të mirë të banorëve të Obiliqit, ajo ka deklaruar se “ky ligj do të dështoj sikur shumë ligje tjera”.

Por, ndryshe mendon kryetari i Obiliqit.

Ai e sheh këtë ligj të domosdoshëm për zonën e Obiliqit, pasi në të parashihen një sërë masash që duhen ndërrmarr për ta bërë këtë zonë të banueshme.

Një ligj i kësaj natyre është vlerësuar pozitivisht edhe nga përfaqësues diplomatikë që veprojnë në Kosovë.