Prof. Murat Gecaj: Doli nga shtypi libri antologjik,“Si ujëvarë bjeshke…”

27.12.2017 01:24:44

                    “SI UJËVARË BJESHKE   “

-Pas 2 librave të mëparshëm (2015  e 2016), me këtë tematikë, edhe ky u kushtohet 55 femrave shqiptare, poete e shkrimtare dhe veprimtare të njohura, nga Shqipëria e trojet tjera amtare, por dhe nga  disapora shqiptare, në Europë, Amerikë e Kanada.

Natën e Festës së Krishtlindjeve dhe në pragun e Vitit të Ri 2018, kam kënaqësinë ta ndaj me lexuesit, këtë gëzim të natyrshëm…

Në vazhdim të 2 librave te mi antologjikë,”Për ju, krijuese…”(Tiranë,2015) dhe “Kur flasin zemrat…”(Tiranë, dhjetor 2016), duke marrë pjesë në përurime të ndryshme të botimeve nga krijueset tona, sidomos në Tiranë, por dhe duke zhvilluar biseda me to, kryesisht përmes Internetit dhe duke publikuar recensione për librat e rinj, u bë një sasi jo e vogël shkrimesh të tjerë, në këtë drejtim. Kështu, mendova që këto shkrime t’i tuboja në një libër të tretë, tashmë me një emër tjetër, pra “Si ujëvarë bjeshke…,”, i cili ka  243 faqe  dhe është pajisur me mjaft fotografi.

Për botimin e tij, pata mbështetjen dhe ndihmën e disa krijueseve dhe të SHB “Edlora”, me drejtor ing. Vladmir Kallupi dhe administratore Edlira Kame, të cilët i falënderoj, përzemërsisht!.

Me qëllim që lexuesi të krijojë një përfytyrim më të saktë për këtë libër të ri, shkurtimisht, po u njoh me përmbajtjen e tij, sipas pjesëve, që ai ka.

Redaktore është mësuesja poete, Merita Gjoni-Gjoka (Tiranë) dhe recensente: Albana Ponari (Milano-Itali), Vjollca Ajasllari-Koni(Austri), Enkelejda Kondi (Francë) dhe Anjeza Dielli (Norvegji). Korrektura teknike, nga Katerina Gecaj (Tiranë) dhe kapakët & punimet grafike, nga Edlira Kame (Tiranë).

Kapakët e librit të ri, “Si ujëvarë bjeshke…”(Tiranë, dhjetor 2017), me autor Prof. Murat Gecaj…

Pas një Hyrjeje të shkurtër, që kam bërë vetë, është pjesa e parë, “Biseda, me krijuese dhe veprimtare të njohura”. Konkretisht, aty ka biseda me këto autore:

Ermira Babamusta (Nju Jork), Behide Hasanaj (Zvicer), Abide Gashi (Mitrovicë-Kosovë),Anjeza Dielli (Norvegji), Bajame Hoxha-Çeliku (Belgjikë), Diana Zhiti (Angli), Fjona Çela (Tiranë), Lola Shehi (Tiranë), Mirvete Kabashi-Leku (Prizren), Brunilda Zllami-Tiranë (nga Nafije Salihaj), Rudina Mërkuri-Papajani (Vlorë) dhe Valbona Hykaj (Tiranë).

Në pjesënë e dytë, po duke vijuar me poete e shkrimtare, në pjesën “Shkrime të larmishme”, janë krijime nga: Albana Ponari (Milano-Itali), Eva Manxhari (Romë), Babeta Rexhepi (Krujë), Eli Kanina(Tiranë), Ermira R.Jusufi (Vushtrri-Kosovë),

Pjesa e tretë titullohet, “Femrat tona krijuese, në katër antologji”:  “Pena e Re” e Tiranës; “Kolorit poetik”, në Skandinavi; “Antologjia  poetike”(Devoll) dhe “Sofra poetike” (Boras-Suedi, 2017).

Pjesa e katërt është: “Autorë miq, të ftuar në këtë libër”. Kështu, Akademik Ali Aliu ka shkruar për krijuesen Majlinda Nana Rama(Fier); Dr.Fatmir Terxiu për poeten Zejnepe Adili-Rexhepi(Tetovë); Rajmonda Mojsiu (Nju Jork),për publicistet shqiptare në Amerikë; Aurora Ndreu (Tiranë), për babain e saj, Ferhat Cakaj; Dedë Shkurti, për poeten Pranvera Drita Gjoni (Belgjikë); Eli Kanina (Tiranë), për një takim krijuesish e një poezi kushtuar të biri; Enkelejda Murataj(Durrës), rrëfim për jetën e saj dhe një poezi; Ermira R.Jusufi, me një skicë; Famiroshe Xhamalaj, me një shkrim, kushtuar Urti Osmanit-“Mësuese e Popullit”; recension, nga Hysen Graiçevci (Prishtinë), për një libër të poetes Vjollca Ajasllari-Koni(Austri); për poeten Merita Thartori-Kuçi (nga Kadri Tarelli-Durrës); një skicë, nga autorja Lida Lazaj (Tiranë); Luçia Martino, për ruajtjen e kulturës arbëreshe; Luljeta Gjosha-Pashollari (Athinë), me një rrëfim tronditës, nga jeta bashkëshortore e saj; Remzije Zekolli(Kosovë), me një recension për librin e autorit Miftar Kurti; recension nga Ukshin Morina, për një libër poetik të Alma Ferunit (Vlorë); Violeta Librashdi (Tiranë), me skicë për një vajzë të pallatit të saj; Viron Kona, me recensionin e librit poetik të Ermira R.Jusufit (Vushtrri-Kosovë); Zejnepe Adili Rexhepi (Tetovë), për një libër me poezi  të Seli Muratit(Kanada) dhe Vjollca Ajasllari-Koni(Austri), me një skicë e një poezi, kushtuar të birit.

Në pjesën e katërt, “Mendime dhe përshtipje”, janë botuar: Recensioni i studiuesit Sejdo Harka, për librin “Kur flasin zemrat…’’, me autor M.Gecaj; Zyrafete Krzeziu-Manaj, për nderimin, që u bën krijueseve tona, autori M.Gecaj, me librin e tij,”Për ju, krijuese…”(Tiranë, 2015); Drita Lushi (Tiranë), në librin “Kur flasin zemrat”; për autoren e dy librave poetikë, Vjollca Ajasllarin-Koni(Austri); për shpirtin poetik të autores Merita Gjoni-Gjoka (Tiranë) dhe një skicë, për vëllain e saj; shkrim nga përurimi i dy librave me poezi, nga Oltjona Selamaj(Itali); nga përurimi i një libri, me autore Ganimete Thaçin (Tiranë), kushtuar atdhetarit Ali Ibër Nezaj dhe një letër, drejtuar M.Gecaj, autorit të librave për femrat krijuese, nga Enkelejda Kondi (Francë).

Libri mbillet me një bisedë, nga autori i librit “Si ujëvarë bjeshke…”, M.Gecaj, në Radion “Zëri i Mitrovicës”, me moderatoren Eltona Lakuriqi.

Në fund janë botuar të gjithë titujt e shkrimeve, që përmban ky libër.

Më poshtë po japim, ato çfarë ka shkruar autori, M.Gecaj, në “Hyrjen” e librit, “Si  ujëvarë bjeshke…”:

          Nga mendja dhe zemra e krijueseve tona, burojnë ndjenja,

                         që na japin kënaqësi shpirtërore…

Një lexues i vëmendshëm dhe i interesuar është në dijeni se, në këta dy-tre vitet e fundit, mjaft nga shkrimet e mia ua kam kushtuar krijmtarisë së femrave shqiptare, poete e shkrimtare, artiste e veprimtare të njohura. Ato janë me banim në Shqipëri ose në trojet tjera amtare të Ballkanit, por dhe në emigracion, si në shtete të ndryshme të Europës dhe deri në Amerikë e Kanada. Pjesën kryesore të këtyre shkrimeve: Biseda, recensione ose artikuj, me raste përurimesh të librave të këtyre autoreve, mund ta keni parë në portale të ndryshme të Internetit ose në shtyp.

Synimi im kryesor ka qenë dhe është që, këto autore të talentuara, të moshave e profesioneve të ndryshme, t’i  mbështes e t’i bëj sadopak të njohura, për lexuesit e interesuar. Kjo është dhe aryesja kryesore që, mjaft nga këto  shkrime, i tubova në dy libra publicistikë-letrarë: “Për ju, krijuese”(Tiranë, 2015) dhe “Kur flasiin zemrat” (Tiranë, 2016).

Mund të isha mjaftuar, me botimin e këtyre dy librave. Por, duke parë me kënaqësi shpërthimin e vrullshëm, si ujëvarë bjeshke, të frymëzimeve të krijueseve tona, kudo që ato jetojnë, studiojnë ose punojnë, gjë që është pasqyruar dukshëm në shtyp e në Internet, përsëri, nuk e ndërpreva punën, për të shkruar e publikuar për punën e tyre të vyer, me vlera atdhetare kombëtarë, letrare e artistike etj.

Dhe ja, përsëri, të dashur lexues/e,  po ua paraqes librin tim të tretë,me titullin “Si ujëvarë bjeshke…”,ashtu të thjeshtë,  si dy të parët. Kam dëshirën e mirë dhe shpresën, që do t’u pëlqejë, jo vetëm atyre autoreve, për të cilat flitet në faqet e këtij libri, shoqëruar me mjaft fotografi, por dhe një mase më të gjerë lexuesish, si brenda Shqipërisë e jashtë saj.

Nuk e quaj të arsyeshme të  ndalem në  përmbajtjen e shkrimeve, që janë renditur në këtë botim, sipas pjesëve të veçanta. Vetëm, dëshiroj të nënvzoj se, në dallim nga dy librat e parë, në këtë botim kam një pjesë të veçantë, me titullin: “Autorë, të ftuar në librin tim”. Pra, nuk jam unë ai, që shkruaj, vlerësoj ose flas aty, për krijimtarinë e poeteve e shkrimtareve tona etj., po një numër jo i vogël i miqëve të tyre e të mi, krijues në fusha të ndryshme të letërsisë e artit dhe më gjerë.

Në mbyllje të këtyre pak radhëve modeste hyrëse, në këtë libër, dëshiroj të përshëndes e të falënderoj nga zemra, të gjitha ata/ato krijues/e, të cilët më mbështetën ose më ndihmuan, me shkrime, mendime e mjete monetare, për botimin e këtij libri të ri.

Tiranë, 24 dhjetor 2017