Psikologia Mehmeti: Covid-19 shtoi pasigurinë për jetën, ankthin, stresin dhe konfliktet në familje

23.01.2021 22:33:36

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, ka theksuar se koronavirusi i ri (COVID-19) nuk ndikon vetëm në aspektin fizik në shëndetin e njeriut, por edhe psikologjik. Ai u bëri thirrje qeverive që të rrisin dhe financojnë shërbimet e shëndetit mendor në luftën kundër pandemisë. Një ndikim shumë të madh pandemia pati edhe në vendin tonë. Aktualisht në Shqipëri kemi 69,916 raste pozitive, 26,194 raste aktive dhe 1296 humbje jete. Edhe pse ka një ulje të numrit të të infektuarve me covid-19 në ditë, krahasimisht me muajin dhjetor, sërish shifrat janë shqetësuese.

Pademia ka shtuar pasigurinë në jetën e njerëzve, ka shtuar ankthin, stresin, konfliktet në famije. Kjo pohohet edhe nga psikologia Ada Mehmeti në një intervistë për gazetën “Shëndet plus”.

Si po ndikon Covid-19 në shëndetin mendor të njerëzve?

Covid-19 po bën thuajse një vit në jetën tonë. Kjo periudhë ndikoi në sjelljet tona dhe doemos edhe shëndeti mendor u prek. Në punën tonë vërejmë që njerëzit kanë një tendencë më të shtuar për të pasur një pasiguri për jetën e tyre, sa më shumë pasiguri të kemi për jetën tonë aq më shumë na shtohet ankthi, stresi, konfliktet në familje. Shumë persona për shkak të pandemisë humbën punën dhe kjo lë pasoja në shëndetin tyre mendor. Të gjithë këto faktorë çojnë në përkeqësimin e shëndetit mendor.

Cila grup moshë është më e rënduar apo e prekur psikologjikisht nga kjo situatë?

Statistikisht nuk mund të them se cila moshë është më e rënduar. Por, mund të them që më të ndikuar janë personat që kanë patur prirje të mëparshme për depresion, ankth etj.

Gjithashtu, situata ka ndikuar edhe në psikologjinë e personave me sëmundje të tjera shoqëruse. Kjo për shkak se, një person që vuan nga një sëmundje, mendon se ai/ajo ka më shumë prirje/mundësi për të humbur jetën nga virusi dhe për rrjedhojë i shton ankth dhe stres.

Një person i cili ka ankth, ai i shtohet edhe më shumë (pra, ankthi) në momentin që ka një kërcënim jete përreth tij.

Si ka ndikuar covid-19 tek personat që vuajnë nga depresioni, a ka patur tentiva për ti bërë keq vetes?

Po! Tek personat të cilët kanë patur prirje për probleme të shëndetit mendor përpara pandemisë, COVID-19 ka ndikuar që të tentojnë për të lënduar veten. Kjo prirje ka qenë aty edhe më para por COVID-19 dhe të gjithë problematikat që e rrethojnë individin e nxitën atë drejt akteve të tilla.