Rasti i parë në Europë/ Koronavirusi i shkatërron mushkëritë, 18-vjeçarit i bëhet transplant

28.05.2020 16:28:46

Një 18 vjeçar në Milano shpëtoi nga vdekja falë një transplanti të mushkërive, pasi organet e tij të frymemarrjes u shkatërruan brenda pak ditësh nga Covid 19. Ndërhyrja, thonë mediat italiane, e para e këtij lloji në Europë, u krye nga mjekët e Poliklinikes së Milanos, nën koordinimin e Qendrës Kombëtare të Transplanteve dhe me Nord Italia transplant program.

Sipas shtypit vendas, edhe pse Franceso ishte i ri dhe krejtësisht i shëndetshëm, virusi i shkaktoi dëme të pakthyeshme në mushkëri, duke i “djegur” mundësinë për të marrë frymë normalisht. Në 2 mars, 18 vjeçarit i kishte filluar temperatura e në 6 mars, u shtrua në spital. Dy ditë më vonë, përfundon i intubuar ne terapi intensive dhe në 23 mars, lidhet me makinerinë Ecmo per qarkullim ekstratrupor.

Por, tashmë mushkëritë e tij ishin shkatërruar dhe mjekët vendosën se rruga e vetme ishin mushkëritë e reja, në një procedure të parealizuar më parë në Europë, e cila megjithate u krye me sukses. Vetëm pak raste të tilla ka pasur në Kinë, e pas Italisë, u realizua dhe një operacion i ngjashmë në Austri.