Sfida e rrezikshme e Presidentit!

29.09.2018 19:48:06

Nga: Melihate Tërmkolli

Presidenti i Kosovës, sot me vizitën e tij në Ujman (Gazivodë), bëri manipulimin e radhës dhe manovrimin shumë të rrezikshëm për Kosovën. Rreziku nuk qëndron se pse ai vizitoi Ujmanin, sepse normalisht ajo është pasuri dhe territor i Kosovës dhe Presidenti mundet dhe duhet të shkojë në ҁdo pjesë të vendit. Por duke pasur parasyshë motivin dhe qëllimet e vizitës së Presidentit në Ujman, motive dhe qëllime krejtësisht personale të tij, e në dëm të Kosovës, për më tepër gjëja si kundërvënje një proteste në Prishtinë, rreziku është evident. Në fakt, në rrethanat ekzistuese politike, me idenë e tij për “korrigjimin e kufijve”, me vizitën si ajo e sotmja në Ujman, Presidenti shumë lehtë mund të shkaktojë një situatë për ndërhyrje ushtarake të Serbisë në pjesën veriore të vendit. Mbase kjo është edhe pjesë e realizimit të strategjisë së planeve të Serbisë për ndarje të Kosovës, e ndihmuar dhe e promovuar me ngulm nga Presidenti i Kosovës si ide e tij. Të shpresojmë që NATO-KFOR-i, nuk do të gjendet në befasi për t’i ndalur këto veprime ogurzeza për Kosovën. Në anën tjetër protesta e organizuar nga VV e cila u mbajt sot, në masën më të madhe nuk doli të jetë protestë kundër idesë së Presidentit për “korrigjim të kufijve”. Një protestë e lodhtë, pa asnjë flamur të shtetit të Kosovës, pa asnjë fjalë domethënëse kundër idesë së kufijve. Më tepër u demonstrua tendenca që nën moton “ një popull s’i nënshtrohet një njeriu”, ai popull që “mund” t’i nënshtrohet një njeriu mos të jetë Hashim Thaҁi por Albin Kurti, duke harruar se populli nuk i nënshtrohet asnjëherë asnjë individi. Për LDK-në, është koha për mobilizim, në mbrojtje të shtetit tonë dhe vlerave nacionale demokratike perëndimore të shtetit e qytetarëve tanë.