Sfidat e nxënësve me ADHD me mësimin online: Rekomandime për mësimdhënësit

17.12.2020 23:17:46
education and school concept - little student girl studying and reading books at school

Shkruan: Thëllëzë Kastrati

Zhvillimi i hovshëm i teknologjisë në dekadat e fundit ka bërë që për një kohë të shkurtër shumë nevoja tona të kryhen në formën dixhitale. Duke filluar nga blerjet, informimi për ndodhitë apo arritjet e fundit shkencore, socializimi, e deri te arsimimi e punësimi. Në rrethana të tjera një hyrje e tillë me siguri do të vazhdonte me efektet negative të gjithë këtij dixhitalizimi, por me mbylljen e detyruar që shkaktoi shfaqja e COVID-19, kjo u bë mundësia e vetme që kishim për të vazhduar aktivitetet tona të përditshme.

Për shumë prej nesh kjo ishte dhe vazhdon të jetë e vështirë, sidomos pjesa arsimimit, për shkak se sistemi arsimor supozon se mësimdhënësit dhe nxënësit duhet të jenë fizikisht prezent në të njejtën kohë dhe të njejtin vend për të zhvilluar këtë process. Andaj nuk është i gatshëm për të reaguar me lehtësi në situatat e mbylljes të detyruar, pavarësishtë nëse janë për shkak të pandemisë, konflikteve, përmbytjeve, zjarreve apo ndonjë katastrofe tjetër.(UNESCO, 2020)  Gjatë kohëve të fundit, janë zhvilluar strategji të ndryshme me qëllim të përshtatjes së sistemit arsimor. Një nga këto strategji është edhe mësimi në ditancë, i konsideruar strategjia më e përshtatshme për arsimin parauniversitar, ku për shkak të mungesës së paisjeve të cilat u mundësojnë nxënësve çasje në mësimin online, orët mësimore zhvillohen në televizione të çasshme për të gjithë. (UNESCO, 2020).

Edhe pse sipas UNESCO-së për 10 ditë të pandemisë sistemi arsimor online është zhvilluar më shumë se për 10 vitet e fundit (UNESCO, 2020), përsëri ka shumë mangësi sidomos për nxënësit me çrregullime të caktaura. Edhe pse kjo fushë është e mangët edhe nga ana e hulumtimeve, më poshtë do të përpiqemi të bëjmë një përmbledhje për vështirësitë me të cilat përballen  këta nxënës, përkatësishtë nxënësit me ADHD, dhe strategjitë për ta kthyer këtë situate në favor të këtyre nxënësve.

Sipas DSM-5, çrregullimi i deficitit të vëmendjes dhe hiperaktiviteti (ADHD) përkufizohet si model i vazhdueshëm i mungesës së vëmendjes ose hiperaktivitetit-impulsivitetit i cili ndërhyn në funksionimin dhe zhvillimin e individit. (DSM-5). Shkak për këtë mendohet të jetë pamjaftueshmëria e dopaminës dhe epinefrinës, kimikate të rëndësishme për vetë-kontrollim dhe vetë-rregullimin. (Brok, Jimerson& Hansen, 2009) . Me që mësimi nga shtëpia është më i pavarur,  vetë-kontrolli dhe vetë-rregullimi janë dy nga cilësitë e nevojshme për të pasur sukses, dhe kjo për  nxënësit me ADHD është mjaftë e vështirë. Këtë e përkrahin dhe hulumtimet ku 31% e prindërve të fëmijëve me ADHD e përshkruajnë mësimin në distancë shumë sfidues, dhe se kanë shumë vështirësi për të përkrahur fëmijët e tyre të mësojnë nga shtëpia. Kjo gjithashtu është në disavantazh të mësimdhënësve, për shkak se përderisa janë në klasë fizike ata mund të shohin kur këta nxënës janë të hutuar, kur kërsasin gishtërinjtë apo bëjnë lëvizje të përsëritura trupore, dhe mund të përpiqen të rikthejnë vëmendjen e tyre, gjëra që duket se bëhen më të vështira përgjatë mësimit në distancë. (Reckdahl,2020)

Vështirësia në organizimin e kohës i bënë nxënësit me ADHD të njihen për zvarritje. Sipas hulumtimeve të bëra në këtë fushë, nxënësit me zvarritje të lartë janë më pak të sukseshëm në mësimin online, për shkak se hyjnë me vonesë në orët virtuale,dëgjojnë më pak dhe ngurojnë të bëhen pjesë e diskutimeve  (Pychyl, 2011)

Nxënësit me ADHD gjithashtu kanë probleme me memorien punuese, dhe kapacitete të limituara për të mbajtur në mend. (Brok, Jimerson& Hansen, 2009) Prandaj mund të kenë problem me mbajtjen mend të orarit për klasët virtuale ose për dorëzimin e detyrave të caktuara.

Edhe nëse i shmangin problemet e lartëcekura, përsëri problemet që ata nxënës kanë me vëmendjen mund të vështirësojnë mësimin në distancë, sepse shumë lehtë mund të shpërqëndrohen dhe të hyjnë në faqe të tjera  që i duken më argëtuese. Prandaj për ta është shumë e rëndësishme që mësimdhënësit të ndjekin disa strategji të cilat u ndihmojnë që gjithë këtë situatë ta kthejnë në favorin e tyre. Më poshtë do i listojmë disa nga strategjitë më të përshtatshme.

  • Mësimdhënësit duhet të zbulojnë se si nxënësit mësojnë më mire dhe ti përkrahin
    1. Shmangni mësimet e gjata dhe përsëritëse, janë shumë të vështira për fëmijë që mërziten dhe shpërqëndrohen lehtë.
    2. Përfshini një element të përzgjedhjes për të rikthyer vëmendjen.
    3. Bëji të ndjehen të lirë të lëvizin nëpër shtëpi ose të bëjnë një aktivitet tjetër fizik kur e kanë të nevojshme.
    4. Zhurma e bardhë mund të ndihmojë në fokusimin në një gjë të caktuar dhe shmangjen e stimujve të tjerë, sugjerojani këtë nxënësve tuaj.
  • Mësimdhënësit duhet ti përkrahin nxënësit për mbajtjen e sensit të kohës
    1. Sugjeroni nxënësit tuaj të vendosin lajmrime në telefonat e tyre për kohën e fillimit të mësimit, apo datat e dorëzimit të detyrave.
    2. Përcaktoni një kohë për të cilën nxënësit duhet të përqëndrohen në një detyrë të caktuar, duke u munduar të jetë kohë me gjatësi të përballueshme për nxënësin, dhe në vend të ndarjes p.sh 20 minuta, bëjeni 24(ose numër tjetër të këtij lloji), do të tëtrheqë më shumë vëmendjen e tyre,
    3. Përpiquni që oraret të janë të qarta, dhe kërkojini ta mbajnë atë në një vend të dukshëm, sikur dera e dhomës së tyre, ose ekrani i kompjuterit.
  • Në rastet e nevojshme, kur ata fillojnë të shpërqëndrohen, bëni ndonjë aktivitet që do i çlodh ata fizikisht dhe psiqikisht, me qëllim që të jenë të gatshëm të vazhdojnë përsëri mësimin.
  • Nxënësit me ADHD kanë mungesë të motivit të brendshëm, andaj përpiquni ti jepni vlerësimin pas cdo pune te vogël që bëjnë, kjo do i motivoj për të vazhduar punën. Në të kundërtën, ata nuk do kryejnë një detyrë nëse e dinë se ju nuk do e kontrolloni dhe vlerësoni, edhe nëse janë shumë të mirë në atë detyrë.
  • Bashkëpunoni me prindërit e nxënësit, një bashkëpunim I tillë mund të jetë I dobishëm për të dy palët.

Përpiquni të mos u referoheni këtyre nxënësve me shprehje si dembel, problem apo karakteristika të tjera të cilat I atribuohen çrregullimit të tyre. Mendojeni se secila situate e vështirë për ju, për ta është edhe më e vështirë. Ju mund ti ndihmoni ata për të përballuar vështirësitë duke qenë pjesë e skuadrës, dhe jo duke gjykuar e vlerësuar nga larg.