SHBA, Departamenti Amerikan Shtetit: Votat në vitin 2017 në zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri janë blerë

14.03.2019 12:44:08

Raporti i DASH është fshikullues për Shqipërinë, sidomos për lirinë e medias dhe blerjen e votave.

Për shkak të zgjedhjeve të vitit 2017, politika shqiptare është futur në një krizë të thellë. Opozita e braktisi parlamentin pas publikimit të përgjimeve të përfaqësuesve më të lartë të qeverisë me persona si pjesë e grupeve kriminale (Dako – Avdylaj, dosja 339) ku flitej për blerje votash. Djegien e mandateve e kanë kritikuar BE dhe SHBA, por nga Uashingtoni doli ditën e djeshme një dokument që pranon fenomenin e blerjes së votave në zgjedhjet e fundit. Kjo është shkatërruese për kryeministrin Rama, sepse për shkak të blerjes së votave prej tij dhe PS, kriza politike ka arritur në pikë vlimi.

Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi raportin mbi të drejtat e njeriut në botë. Pika më interesante e këtij raporti është ajo që ka të bëjë me zgjedhjet dhe respektimin e “të drejtës së votës”. Raporti i Departamentit të Shtetit citon në pjesën më të madhe OSBE-në për atë që ndodhi në zgjedhjet e fundit të mbajtura në qershor 2017, por bën edhe vlerësime për to.

“Zgjedhjet e fundit për kuvendin kombëtar u mbajtën në qershor 2017. Vëzhguesit e OSBE-së për procesin zgjedhor raportuan: “Garuesit patën të mundur të bënin fushatë lirshëm dhe liritë thebësore u respektuan”.

OSBE vë në dukje më tej: “Vazhdoi politizimi i organeve dhe institucioneve që merreshin me zgjedhjet dhe gjithashtu pati akuza të shumta për blerje të votave dhe presione mbi votuesit lëkundën besimin e publikut te procesi zgjedhor”.

Sa i takon votimit në vetvete, misioni i OSBE-së raportoi për “një ditë të zakonshme zgjedhjesh”, por më pas zbuloi se “procedura të rëndësishme nuk u respektuan plotësisht në një numër qendrash votimi të vëzhguara”, thuhet në raportin e DASH, citon lapsi.al.

Raporti ndalet edhe te respektimi i të drejtave të minoriteteve, por edhe këtu Departamenti Amerikan i Shtetit bën një tjetër kritikë të fortë kur nënvizon se “disa pakica mbetën të prekshme në blerjen e votave”.

Qeveria amerikane citon se në vendin tonë “mosndëshkimi mbetet problem”. Aty citohet se “ndjekja penale dhe sidomos dënimi i zyrtarëve që kryenin abuzime ishte sporadik dhe jokonsistent”. Sipas raportit të DASH, zyrtarët, politikanët, gjyqtarët dhe personat me interesa të fuqishme biznesi shpesh ishin në gjendje të shmangnin ndjekjen penale.

“Korrupsioni vazhdoi të ishte një problem serioz në qendrat e paraburgimit. Edhe pse qeveria ka mekanizma për të hetuar dhe dënuar abuzimin dhe korrupsionin, korrupsioni në radhët e policisë mbeti problem”, – thuhet në raportin e DASH.

DASH thekson shumica e pronarëve të mediave të mëdha janë blerë nga qeveria, pasi kanë linja editoriale pro qeverisë, në raport me favoret që atyre iu bën kryeministri.