Shoqatat për mbrojtjen e kafshëve protestojnë kundër instalacionit të Sislej Xhafajt

24.07.2018 19:30:22

“Sis’ lej këto sene”, ”Galeria e ahrit”, “Sis’ lej baglat”, “Vuajtja nuk është art”, ishin vetëm disa nga pankartat që protestuesit mbanin në duar, të cilët kundërshtonin mbylljen e lopëve para Galerisë së Arteve, si pjesë e instalacionit të artistit Sislej Xhafa.

Elza Ramadani, nga Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve, tha se kjo protestë është simbolike dhe vetëm duan të parandalojnë që të ndodhin gjera edhe më të këqija.

“Po dëshirojmë t’iu bëjmë me dije dhe me dhanë një mesazh të qartë, edhe artistit, edhe komitetit të artistëve që kanë reaguar shumë keq, që kjo protestë është veç simbolike dhe po dëshirojmë vetëm me parandalua raste të tjera që munden me ndodh në të ardhmen ma të këqija me shfrytëzimin e kafshëve. Në Kosovë e dimë shumë mirë se qysh trajtohen kafshët, e dimë me qentë endacak, e dimë me qentë shoqërues nëpër shpija që i kanë, kështu që vetëm po dëshirojmë t’i sensibilizojmë shoqërinë që jemi të vetëdijshëm që për një muaj po mbahen disa lopë në mënyrë jo të natyrshëm. Për neve si komunitet dhe si organizata që mundohemi me i mbrojt e me i promovua të drejtat e tyre, e kemi këtë qëllim, me i lanë sa më shumë me jetua në natyrshmërinë e tyre. E ky vend këtu para kampusit universitar nuk është një vend ku ato munden me u kullot dhe me jetua ashtu siç ish dashtë”, tha ajo, raporton KP.

Sipas saj këto lopë që po qëndrojnë tash e sa ditë para Galerisë së Arteve, nuk e duan qytetin dhe po keqtrajtohen.

Ndërsa, Driton Gusia nga Organizata “Të bashkuar për kafshët”, tha se vet çmimi i ndarë për performanca të tilla është absurd.

“Përpos keqtrajtimit të kafshëve që ia ka nis me u konsiderua art, ose me u përdor kafshët si material artistik, që ne e kundërshtojnë, është edhe se po na shqetëson çmimi pak absurd. Shumica prej taksave tona besoj që ndahet për performanca, që besoj kishim pasur mundësinë me bë shumë gjëra më të mëdha me kësi çmime. Po më duket absurde”, tha ai dhe shtoi se përkundër që artisti ka deklaruar se gjendja e lopëve është e mirë, mjafton që t’i shohësh dhe do të vëresh që lopët janë duke vuajtur.

Po ashtu, ai tha se nuk do të ndalen së kërkuar respektim të drejtave të kafshëve.

Gjatë ditës së sotme, drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Arta Agani ka thënë se lopët po mbahen në kushte të mira dhe për këto janë konsultuar me ekspertë të veterinarisë dhe me rekomandim të Ministrisë së Bujqësisë. Kritikat sipas të cilave kafshët nuk po mirëmbahen, Agani i ka quajtur spekulime dhe ka treguar për kushtet në të cilat mbahen lopët.