Shqipëri/ i nguli thikën 15 herë, dha shpirt sapo…/ Si e vrau gruan 53-vjeçari sa u kthye nga shëtitja

07.09.2019 10:16:27

Një ngjarje tragjike tronditi Librazhdin mbrëmë vonë. Një 53-vjeçar masakroi me thikë bashkëshorten e tij.

Daut dhe Lule Gjokola kishin dalë për xhiro në Pedonalen e qytetit dhe sapo u kthyen në apartament ka nisur edhe sherri mes tyre.

Mësohet se në banese ka qenë djali, ndërsa vajza ndodhej në Tiranë. Pak minuta pasi janë futur në dhomën e tyre, në rrethana ende të paqarta, ka ndodhur krimi.

Raportohet se të paktën 15 thika janë konstatuar të ngulura mbi gjoksin e 49-vjeçares. Pas thirrjeve paraprake për ndihmë aty kanë mbërritur fqinjët, të cilët kanë gjetur në gjendje shoku djalin e çiftit Gjokola.

Fqinjët kanë transportuar në urgjencë gruan e masakruar, e cila ka dhënë shpirt sapo e kanë shtrirë në krevatin e spitalit. Plagët e shumta të shkaktuara kanë rezultuar fatale për jetën e saj. Ndërsa ajo ka ndërruar jetë, bashkëshorti i saj vrasës është vetëhedhur nga ballkoni i apartamentit duke gjetur vdekjen e menjëhershme.

Mbetet misterioz motivi i krimit, ndërsa dyshohet se ka ndodhur për shkaqe xhelozie. Ndërkohë që policia ka marrë dëshmi të fqinjëve për të zbardhur krimin.