Shqipëri/ Operacioni “shëtitësit”, kapen hajdutët që grabitën miliona lekë

31.01.2020 12:55:52

Policia ka zbuluar një grup të rrezikshëm që kryente vjedhje të parave dhe sendeve me vlerë në banesa, duke finalizuar në këtë mënyrë edhe operacionin e koduar “Shëtitësit”.

Pas bashkëpunimit me qytetarët janë vënë në pranga 4 anëtarët e grupit, të cilët u kapën në tentativë për të vjedhur 2 banesa në Cakran. Të katërt autorët e dyshuar janë persona me precedent të theksuar kriminal në fushën e vjedhjes së banesave.

Njëri prej autorëve ishte shtetas i shpallur në kërkim, për veprën penale “Vjedhja”. Ndërkohë janë zbardhen dhe dokumentuar disa vjedhje të ndodhura më parë në Fier, të kryera nga këta shtetas.

Sekuestrohen çanta me pajisjet që përdoreshin për të kryer vjedhjet, si: kaçavida, darë prerës, çelësa të ndryshëm, 8 telefona celularë të markave të ndryshme dhe automjeti, i cili gjithashtu përdorej nga këta shtetas për të kryer vjedhjet.

Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjes së pronës, zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, pas kallëzimit të bërë nga banorë të zonës se në Cakran po tentohej të vidheshin 2 banesa, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin e koduar “Shëtitësit” dhe falë veprimeve të shpejta dhe të mirëorganizuara u godit grupi kriminal që vidhte banesat në Fier.

Gjatë operacionit, 2 prej autorëve tentuan të largoheshin me një automjet, të cilin e vodhën në banesën e shtetasit F. S. dhe gjatë tentativës për t’i ikur ndjekjes së Policisë, goditën me automjet shtetasin T. B., 36 vjeç, i cili u ka bërë me shenjë për të ndaluar, por ata e kanë përplasur dhe përsëri tentuan të largoheshin, por u kapën gjatë ndjekjes nga Policia. Shtetasi T. B. ndodhet në Spitalin Rajonal Fier, nën kujdesin e mjekëve.

Në vijim të veprimeve, specialistët për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasit: A. L., 27 vjeç, banues në Vlorë, i dënuar disa herë për vjedhje. Ky shtetas ishte edhe person në kërkim, pasi Gjykata e Beratit i ka vendosur masën “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja”. E. D., 31 vjeç, banues në Vlorë, i dënuar disa herë për vjedhje. A. L., 31 vjeç, banues në Vlorë, i dënuar më parë për vjedhje. L. N., 24 vjeç, banues në Frakull, Fier.

Në sajë të materialeve të administruara dhe veprimeve hetimore, rezulton se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin janë autorë edhe të rasteve të mëposhtme të vjedhjes së banesave gjatë vitit 2019 e deri më tani.