Shtyhet seanca e policit të akuzuar për ndërhyrje në tiketa

19.11.2016 23:35:07

Prokurorja Besa Krajku mungoi në gjykimin e policit Lulzim Gashi duke shkaktuar mos mbajtjen e seancës.

Kryetari i trupit gjykues Elmaz Zenuni njoftoi se prokurorja Krajku mungon për shkak se ishte e angazhuar në një rast tjetër me paraburgim, duke treguar se rastet e tilla kanë përparësi.

Në seancë, përpos prokurores Krajku, i pranishëm nuk ishte as avokati mbrojtës i të akuzuarit Asman Hoxha që e kishte njoftuar gjykatën se ndodhet jashtë vendit.

Seanca e u shty për një datë tjetër të pacaktuar.

Aktakuza e Prokurorisë në Prishtinë e ngarkon Lulzim Gashin se në cilësinë e personit zyrtar-polic në Njësinë për Kontrollimin e Autostradave,  me qëllim që personit tjetër t’i sjellë dobi pasurore ka bërë ndërhyrje në tiketat për kundërvajtje.

Gjithnjë sipas aktakuzës, polici Gashi ka ndryshuar destinimin  e tiketave, nga dënimi për gjykatë në dënim me të holla prej 35 eurove.