Steinmeier: Situata aktuale më e rrezikshme se Lufta e Ftohtë

08.10.2016 13:33:46

Situata aktuale është më e rrezikshme se Lufta e Ftohtë, deklaroi sot kreu i diplomacisë gjermane, Frank-Walter Steinmeier për të përditshmen ”Bild”, ndërsa tensionet janë në rritje midis SHBA-së dhe Rusisë.

“Është iluzion të besosh se bëhet fjalë për ish-Luftën e Ftohtë. Periudha e tanishme është më ndryshe, shumë më e rrezikshme”, deklaroi ministri gjerman i Punëve të Jashtme.

“Rreziku i një përballje ushtarake është i konsiderueshëm”, pohoi ish-diplomati gjerman, Wolfgang Ischinger, i cili ka pasur funksionin e ndërmjetësit të OSBE-së për Ukrainën.

”Rreziku nuk ka qenë kurrë në këto përmasa prej dekadash dhe besimi midis Perëndimit dhe Lindjes kurrë më parë kaq i ulët”, thekson ai.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës pezulluan në fillim të javës bisedimet e tyre me Rusinë mbi armëpushimin në Siri duke akuzuar dje Moskën dhe Damaskun për krime lufte në Alepo.