Sulmet terroriste si bashkëdyzim i tribalizmit politik dhe i radikalizmit islamik të dirigjuara nga agjenturat kundërshqiptare

14.04.2017 11:08:14

Nga Rexhep Kastrati

Kur Shpend Ahmeti ishte në Budvë, në jahtin e devollëve, të blerë nga Qazim Osmani, pata shprehur dyshime se ai mund të jetë takuar me Dragana Trifkoviqin apo me ndonjë agjent tjetër për të përsëritur një “Komanovë” në Mal të Zi, ndonjë incident në kufirin Kosovë – Mali i Zi, apo edhe ndonjë sulm terrorist në Kosovë apo në rajon.

Pas kësaj u shfaq një teatër politiko-medietik ndërmjet Vuçiqit dhe Daut Haradinajt, që ishte një debat kaubojsh, por që në thelb kishte fuqizimin e tribalizimit politik, që e nxori në qendër të vëmendjes Dautin të shpërfaqur plotësisht si një politikan tribal që promovon tribalizimin politik si mënyrë të funksionimit të realiteteteve shoqërore dhe politike.

Ky lloj teatri politiko-medietik ndërmjet Vuçiqit dhe Daut Haradinajt, ishte i ngjashëm me teatrin politiko-medietik ndërmjet Vuçiqit dhe Thaçit, pas të cilit doli se ata na paskëshin qenë duke u kënaqur duke bërë llaf nëpërmjet telefonit dhe duke bashkërenduar si të rrënohet procesi i transformimit të FSK-së në FA, si të krijohet një mutacion hibrid, dhe një ushtri serbe në veri të Kosovës.

Në fakt, taktizimet me Daut Haradinajn, Serbia i ka filluar herët: pas incidentit në Komanovë, Beogradi pat thënë se Daut Haradinaj  do të bënte sulme terroriste në veri të Kosovës. Të ketë funksionuar ndonjë linjë telefonike ndërmjet Ramush Haradinajt dhe Vuçiqit atëherë, apo ndonjë komunikim nëpërmjet personave të tretë? Kjo për faktin se dihet se Ramushi ka qenë i njohur për raporte të mira me Aleksandër Jabllanoviqin, të cilin e kishte lutur që ta mbështeste për kryeministër.

Rasti i arrestimit të Ramushit nga autoritetet franceze, dhe dyshimet se ai mund të ketë qenë me ndonjë agjent të DGSE-së franceze, i bëjnë më të forta dyshimet për një përfshirje të tyre në lojëra të ndyra agjenturash me qëllim destabilizimin e Kosovës apo të rajonit. Kjo bëhet më e besueshme, po të kihet parasysh incidenti në Kumanovë, ku ishin të përfshirë veprimtarë të AAK-së, dhe në të cilin dolën të implikuara edhe shërbimet e ndryshme sekrete, duke filluar nga ai sllavo-maqedonas.

Së këndejmi paralajmërimet për mundësinë e ndonjë aksioni terrorist, rritja e gatishmërisë së policisë së Kosovës, e QKUK-së, si dhe mbledhja e Këshillit të Sigurisë ditën kur në Kosovë erdhën zëvendëskancelari i Gjermanisë dhe ministër i Punëve të Jashtme, Sigmar Gabriel, e më vonë edhe senatori John McCain, duhet parë në një kontekst më të gjerë, dhe me përfshrije të agjenturave të ndryshme serbe dhe ruse dhe të aleatëve të tyre strategjikë.

Në këtë kuptim, edhe paralajmërimet e Ambsadës së SHBA-ve në Prishtinë për shtetasit amerikanë që të kenë kujdes nga sulmet e mundshme terroriste, duhet kuptuar si paralajmërim për ndonjë sulm me përfshirje të agjenturave të fuqishme kundërshqiptare.

Kur të kihet parasysh se kohë më parë ishte arrestuar një serb që në veturën e tij kishte lëndë shpërthyese me të cilën kishte për qëllim që të kryente një sulm terrorist ndaj Ipeshkvisë së Kosovës për ta paraqitur këtë si një sulm të radikalëve islamikë të lidhur me ISIS-in dhe me Al Nusra-n, përlajmërimet për sulme terroriste me rastin e Pashkëve, rikontekstualizojnë gjithë angazhimet serbo-ruse dhe të aleatëve të tyre për të bërë bashkë patriotizmin tribal të tribalizmit politik në Kosovë, me radikalizmin islamik.

Është për t’u studiuar mirë edhe rasti i tifozëve të “Beshiktashit” lidhur me Ramush Haradinajn, për të parë se a është Ramushi, përkatësisht Dauti ndërlidhja e tribalizimit politik me radikalizmin islamik që do të mund të eskalojë qoftë në tensionim të situatës, qoftë në ndonjë lëvizje të dhunshme, qoftë edhe në ndonjë aksion tipik terrorist.

Po ashtu, shfaqja e të ashtuquajturit “Syri i Popullit”, që kreu një atentat terrorist ndaj Azem Vllasit, dhe që paralajmëroi edhe atentate të tjera ndaj bartësve të institucioneve shtetërore të Kosovës. Shfaqja e këtij grupi në kohën kur ishin shtuar angazhimet për rrënimin e institucioneve dhe për destabilizim të vendit, e bën këtë farë “Syri i Popullit” të jetë dukshëm në shërbim edhe të pjesës politike që duan rrëzimin e shtetit, edhe në shërbim të agjenturave që angazhohen për këtë.

Së këndejmi nuk duhet lënë anash as rolin e Hashim Thaçit dhe të Kadri Veselit në gjithë këto, duke pasur parasysh se ka dalë tashmë se mbrapa zhvillimeve të ndryshme, të dhunshme dhe anarkiste fshihen edhe këta, me qëllimin e njëjtë si të Serbisë, Rusisë, dhe partive opozitare: rrëzimin e Qeverisë, destabilizimin e vendit dhe pengimin e funksionalizimit të Gjykatës speciale, e cila edhe sipas Tomë Gashit, do të mund të trondisë këto parti.

Duhet të kujtojmë se edhe Serbia, edhe Rusia, edhe partitë opozitare, edhe PDK kanë qenë  dhe janë në një qëndrim të përbashkët lidhur me nevojën për rrëzimin e Qeverisë e që do të hapte rrugën për destabilizim të vendit, për aksione edhe terroriste, por edhe për shfaqjen e grupeve të armatosura partiake, klanore etj.

Gjithë këto hedhin dritë edhe mbi tribalizmin politik që Dauti e ka shpërfaqur hapur edhe nëpërmjet paralajmërimeve për grupëzim të njerëzve të armatosur nën komandën e tij, por edhe mbi arsyen se përse Vuçiq ia ka bërë like kësaj, duke thënë se Dauti e mban fjalën, pra e bën këtë grupëzim dhe e nis luftën.