Sulmuesit që shkaktuan masakrën e Egjiptit mbanin flamurin e ISIS

25.11.2017 20:08:37

Sulmuesit e xhamisë në gadishullin e Sinait në Egjipt mbanin flamurin e Shtetit Islamik, bën të ditur agjencia e lajmeve Ahram news duke cituar zyrën e Prokurorit Publik. Në deklaratën e tyre thuhet se kanë qenë 25- 30 militantë të cilët shkaktuan masakrën.

Ndërkohë numri i të vrarëve ka kaluar 300.

Xhamia al-Rauda në qytetin e Bir al-Abed, ku besimtarët myslimanë falnin namazin e së premtes, u bombardua dhe ata persona të cilët u përpoqën të arratiseshin, u vranë nga dhjetëra agresorë të armatosur që rrethuan objektin e kultit me automjete.

Në deklaratën e sotme të prokurorisë thuhet se terroristët kanë qenë me 5 automjete dhe kanë filluar të qëllojnë nga dritaret e xhamive. Gjithashtu ata i kanë vënë zjarrin edhe 7 makinave që ishin parkuar jashtë xhamisë.

Ndërkohë ushtria egjiptiane ka deklaruar se ka kryer sulme ajrore ndaj vendndodhjeve terroriste në përgjigje të këtij sulmi.

Forcat egjiptiane të sigurisë prej vitesh kanë luftuar me rebelët islamistë në gadishullin e Sinait. Militantë të lidhur me të ashtuquajturin Shteti Islamik kanë qenë autorë të një sërë sulmesh vdekjeprurëse në rajon. Në shënjestër të militantëve kanë qenë zakonisht forcat e sigurisë ose kishat e krishtera, ndaj një sulm i tillë ndaj një xhamie të muslimanëve sufitë ka tronditur Egjiptin. Ky është edhe agresioni më i përgjakur në këto vite të fundit për vendin.