“Të mos humbasim më kohë për reformën zgjedhore”/ Kryemadhi: Qeveria ka përgjegjësi për 9 kushtet e Bundestagut

15.01.2020 20:43:32

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka reaguar për takimin e djeshëm mes opozitës dhe qeverisë për miratimin e reformës zgjedhore. Në një mesazh në Facebook, Kryemadhi sqaron në mënyrë të detajuar se përse opozita është pro dialogut për reformën zgjedhore dhe çështjet që lidhen me 9 kushtet e Bundstagut gjerman.

Kryemadhi u shpreh se opozita edhe një herë ka shprehur qëndrimin e saj me akte konkrete se është pro procesit të integrimit në BE dhe tashmë është radha e qeverisë që të bëjë të njëjtën gjë.

Publikimi i plotë i Monika Kryemadhit në Facebook:

Integrimi Evropian i Shqipërisë nuk mund të sakrifikohet për asnjë arsye.

Gjithëpërfshirja dhe dialogu politik janë të vetmet rrugë me të cilat mund të realizojmë reformat e nevojshme për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ndaj pa humbur kohë të miratojmë një reformë zgjedhore që u mundëson qytetarëve shqiptarë të drejtën për të zgjedhur të lirë, pa presionin e bandave, intimidimin me vendin e punës dhe nën kërcënimin e levave të pushtetit.

Opozita sot mori përgjegjësinë e saj përpara qytetarëve shqiptarë për të realizuar reformën zgjedhore, e cila është edhe një nga 9 kushtet e vendosura nga Bundestagu Gjerman për të bërë të mundur hapjen e negociatave në Samitin e Zagrebit. Kjo pikë ka qenë deri tani e vetmja alibi e pushtetit për të bërë bashkëpërgjegjëse opozitën për dështimet e saja në integrimin evropian të vendit.

Nga sot, pas dakordësisë së opozitës në unison, për të përmbyllur me konsesus dhe nën prezencën e faktorit ndërkombëtar Reformën Zgjedhore, i duhet Qeverisë dhe maxhorancës të tregojë se është e gatshme të mos mbajë më peng të ardhmen evropiane të Shqipërisë.

Nga sot është kjo maxhorancë që duhet të përmbyllë tetë pikat e tjera të kushteve mjaft të qarta të Bundestagut Gjerman.

Nga sot është kjo maxhorancë që duhet të heqë dorë nga bllokimi i ngritjes së Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë sipas Kushtetutës pa keqpërdorur mekanizmat e saja qorre në KED apo në Parlament.

Nga sot është përgjegjësia e kësaj maxhorance të bëhet gati për implementimin e Reformës zgjedhore që do të miratohet me konsesus.

Nga sot është përgjegjësia e kësaj maxhorance që të plotësojë kushtin e vënies para drejtësisë së vjedhësëve të votave, dosja 184 dhe 339.

Nga sot është përgjegjësi e maxhorancës të japë shembuj për luftën ndaj korrupsionit të saj. Dhjetra dosje të korrupsionit qeveritar janë në sirtaret e Prokurorisë.

Sot opozita, me marrjen e përgjegjësisë për të vetmin kusht që duhet kontributi i saj për të zhbllokuar integrimin në BE, tregoi që mbi interesat partiake apo llogaritë meskine elektorale vendos të parën të ardhmen e shqiptarëve.

Shqipëria është e para! E ardhmja evropiane e saj është e para!