Të shtunën mbahet Kuvendi Zgjedhor i LDK-së

01.08.2019 10:29:15

Lidhja Demokratike e Kosovës të shtunën më 3 gusht do të mbajë Kuvendin e nëntë Zgjedhor të partisë.

Zëdhënësi i LDK-së, Besjan Mustafa, në një deklaratë  ka thënë se përgatitjet për këtë kuvend tanimë kanë përfunduar.

“Të gjitha përgatitjet kanë përfunduar. Kuvendi do të fillojë në orën 10:00. Në kuvend konform Statutit të LDK-së marrin pjesë 355 delegatë nga 38 degët e LDK-së”, ka thënë ai.

Mustafa ka theksuar se më 3 gusht, LDK do të zgjedh kryetarin dhe Këshillin e Përgjithshëm, ndërsa lidhur me kandidaturat ai ka thënë se do të shpallen atë ditë.

“Në Kuvend Zgjedhor zgjedhet kryetari dhe Këshilli i Përgjithshëm, i cili është organi më i lartë i partisë mes dy Kuvende. Kandidaturat për kryetar të partisë, konform Statutit, shpalosen në Kuvendin Zgjedhor më 3 gusht”, ka thënë ai.

Ndryshe në media po përmenden disa emra të mundshëm që do të shpalosin kandidaturat për të parin e LDK-së: Isa Mustafa, Lutfi Haziri, Agim Veliu, Fatmir Sejdiu, Vjosa Osmani, Gazmend Muhaxheri, Avdullah Hoti dhe të tjerë.

Kujtojmë se LDK ka përfunduar procesin zgjedhor në të gjitha degët e saj.

Po ashtu sot, LDK ka ftuar në një mbledhje kryesinë aktuale e cila do të takohet në ora 13:30.

Mbledhja do të kryesohet nga kryetari Isa Mustafa dhe mbahet në selinë qendrore të LDK-së.