Thaçi nderon serbët e vrarë në Hoçë të Madhe

12.12.2016 12:19:58

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka nderuar 84 serbë të Kosovës të rënë në Hoçë të Madhe të Rahovecit gjatë viteve 1998-2000

“Sot sapo vumë lule në këtë pllakë përkujtimore për 84 qytetarë serb të  Kosovës,  jemi sot këtu për të kujtuar dhe lutur për viktimat gjatë dhe pas luftës pa dallim nacionaliteti”.

Sipas Thaçit, familjarët e të pagjeturve janë shembull për të gjithë të tjerët që siç tha ai “duhet të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin për të ardhmen e vendit tonë dhe se duhet që njëherë e përgjithmonë ta përfundojmë agoninë e familjarëve.

“Nga familjarët e pagjeturve dhe takimet që kemi zhvilluar me ta mësojmë se dhimbja është e njëjtë për të gjithë, për secilin prind, për secilën familje, për secilin komunitet.

“Për të vërtetën dhe pajtimin kërkohet sakrificë dhe që kërkoj për të gjithë që të ngriten mbi vetveten mbi përkatësinë nacionale në shërbim të demokracisë, në shërbim të së ardhmes, në shërbim të evropianizimit të Kosovës dhe shoqërisë multietnike në emër dhe shërbim të së ardhmes euroatlantike dhe evropiane të Kosovë”.

“Duhet të zbardhet fati i të pagjeturve, të ngadhënjejë drejtësia e të ndodh pajtimi. Kosova nuk duhet të mbetet peng i së kaluarës së errët por me mirëbesim dhe bashkërisht ta ndërtojmë të ardhmen të gjithë pa dallim, ky është misioni ynë, vizioni ynë që të punojmë të gjithë pa asnjë dallim, qoftë politik, qoftë etnik, qoftë të besimit”, ka thënë ai.

Gjatë muajit korrik, kryetari i shtetit  ka vendosur kurore lulesh në memorialin e 14 qytetarëve serbë të vrarë menjëherë pas luftës në fshatin Grackë të Lipjanit, vizitë kjo që pati nxitur reagime të mëdha, njofton Klan Kosova.