Thaçi: Uroj që dialogu në ditët e ardhshme të kalojë pa ndonjë incident

19.07.2018 13:14:30

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dalë në një konferencë për media ku ka dhënë detaje nga dita e djeshme e takimeve në Bruksel. Thaçi ka komentuar procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe bisedimet me Serbinë.

Thaçi ka thënë se si bartës të institucioneve kanë shkuar së bashku në Bruksel duke takuar Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini.

“Të gjithë në mënyrë unike kemi paraqitur qëndrimin e institucioneve në favor të dialogut dhe negociatave me Serbinë, por në të njëjtën kohë me përkushtimin tonë se ky proces do të mbyllet me njohjen reciproke Kosovë- Serbi”, u shpreh Thaçi.

Presidenti më tej shtoi se normalizimi i raporteve Kosovës-Serbi, ndërtimi i fqinjësisë së mirë paraqet paqe dhe stabilitet për të gjithë vendet e rajonit perëndimor.

“Takimi i djeshëm ka qenë më i shkurtri në gjashtë vitet e fundit, dhe më i vështiri dhe më i rëndi. Nuk është e lehtë të bisedoje me Vuçiqin i cili mendon që ende Kosova është pjesë e Serbisë. Nuk është lehtë të bisedohet me një president që mendon që Kosova është zemër e Serbisë.

Ky pozicion i Vuçiqit është larg realitetit. Si lider e kemi obligim që ta qartësojmë opinionin tonë. Kushdo që vjen në pushtet në Serbi duhet ta kuptoj që Kosova është shtet i pavarur. Kërkesa e Kosovës është e qartë, duhet të ndodh njohja formale nga Serbia ndaj shtetit të Kosovës dhe anëtarësimi i Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare”, u shpreh Thaçi.

Ai theksoi se me Mogherini kanë biseduar se duhet të punojnë për marrëveshjet pasi është në interes të dy vendeve.

” S’duhet të bimë pre e zërave popullsitë e politikave ditore, por duhet të shikojmë nga e ardhmja. Kemi vendosur që të vazhdoj ky dialog me vështirësi e pengesa për hir të së ardhmes së sigurt në mes të dy vendeve.

Në procesin e ardhshëm unë shoh pengesa edhe më të mëdha nga autoritet e Serbisë, por në të njëjtën kohë më mban shpresa e arritjes së një marrëveshje. Uroj që ditët e ardhshme të kalojnë pa ndonjë incident dhe të vazhdoj procesi në mënyrë dinake deri tek arritja e një marrëveshje”, tha Thaçi.

Sa i përket liberalizimit të vizave, Thaçi tha se dje ka qenë ditë e madhe, historike e madhështore për Kosovën.

“Me plot meritë, dje qytetarët e Kosovës kemi marrë atë që e kemi merituar që një kohë, vendimin për liberalizimin e vizave. Kosova ka përmbushur të gjitha kërkesat në të gjitha drejtimet për liberalizimin e vizave.

Ky është sukses i gjithë njerëzve të Kosovës, institucioneve, kësaj qeverie, mediave e shoqërisë civile. Sot takova përfaqësuesit e sistemit të drejtësisë për ti përgëzuar për punën e tyre. Përmbushja e gjitha kritereve është dëshmi se institucionet e Kosovës janë duke punuar fuqishëm”, u shpreh presidenti.