U ndalua nga Policia për vjedhje ullinjsh, ndërron jetë në spital

18.09.2016 21:52:18

Një 54-vjeçar i ndaluar ditën e djeshme nga Policia në Lushnjë për shkak se akuzohej për vjedhje ullinjsh, ka ndërruar jetë sot në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.

Fadil Hoxha ka pësuar infarkt në ambientet e paraburgimit dhe është dërguar nga Lushnja në QSUT, ku dhe ka ndërruar jetë.

Familjarët, të tronditur nga ngjarja akuzojnë Policinë se u kanë refuzuar të fusnin ilaçet në ambientet e paraburgimit pasi 54¬vjeçari merrte tri herë në ditë për zemrën. Sipas dëshmisë së familjarëve, ndonëse ata i kishin kërkuar punonjësve të policisë që t’i fusnin në ambientet e paraburgimit ilaçet, kjo e fundit sipas tyre kishte refuzuar.

Ndryshe nga pretendimi i familjarëve, Policia thotë se Hoxha ka marrë trajtimin me ilaçe gjatë qëndrimit në ambientet e Policisë Lushnjë.

Ndërkohë, në certifikatën e vdekjes në QSUT shkaku i humbjes së jetës thuhet se është i panjohur. I ndjeri u shoqërua në Policia pas një denoncimi të bërë nga pronari i një toke në Lushnjë, që e akuzohet për grabitjen e ullinjve.