Vet-aksident në magjistralen Kaçanik-Ferizaj, tre të vdekur dhe një i lënduar rëndë

08.06.2018 11:00:17

Një vet-aksident i rëndë ka ndodhur në rrugën magjistrale Kaçanik-Ferizaj, ku si pasojë tre persona kanë vdekur dhe një tjetër ka pësuar lëndime të rënda trupore.

Policia e Kosovës për rajonin e Ferizajt bën të ditur se aksidenti ka ndodhur rreth orës 00:40 të së premtes.

Sipas raporteve të para, rasti ka ndodhur kur F.B, ngasësi i veturës Opel Astra me targa lokale duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes me kushtet e rrugës ka humbur kontrollin mbi automjetin, duke dal nga rruga. Vetura është përplasur në disa grumbuj dheu dhe gurësh skaj rruge, duke u rrokullisur me automjetin.

Ngasësi i automjetit ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, kurse tre pasagjerët janë dërguar në QKUK Prishtinë.

Dy prej tre pasagjerëve kanë ndërruar jetë në QKUK,ndërsa pasagjeri i tretë është në mjekim intensiv.

Trupat e pajetë të  viktimave, me urdhër të Prokurorit dërgohen në Institutin e mjekësisë ligjore për obduksion.

Me rast janë duke u marr hetuesit e Njësitit të trafikut rrugor në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit.