Vjosa Osmani i vardiset Isa Mustafës dhe tradhton mbështetësit e saj

05.04.2019 14:18:28

Nga Rexhep Kastrati

Nuk kam votuar kundër Isa Mustafës. Kam votuar kundër koalicionit PDK-LDK. Nuk jam penduar për ketë votim. Kurrë nuk ka qenë votë kundër tij. Në asnjë rast nuk kam votuar kundër Isa Mustafës”

Kjo deklaratë e Vjosa Osmanit, e bërë në televizionin e Beratit të Bashorit, në çdo shtet tjetër demokratik do të konsiderohej skandaloze, sepse jo vetëm që është një hipokrizi dhe rrenë e kulluar, por edhe paraqet shkallën zero të qeniesimit moral dhe politik.

Po pse është hipokrizi, rrenë dhe shkallë zero e qeniesimit moral dhe politik?

1. Vjosa Osmani ka qenë shefe e stafit të presidentit të Republikës, Fatmir Sejdiu, në kohën kur ky ishte zgjedhë president në bazë të një marrëveshjeje të koalicionit PDK – LDK, kohë kur ajo arriti ngjitjen e shkallëve më të larta politiko-partiake në LDK falë mbështetjes së plotë të z. Sejdiu! Pra, atë nuk e ka penguar fare që në kohën e koalicionit PDK-LDK jo vetëm të ishte pjesë e përfitimeve nga ky koalicion, por edhe të ngishte shkallët e karrierës në parti!

2. Mosvotimi i qeverisë së drejtuar nga LDK ishte veprim që binte ndesh me interesat e vendit dhe të LDK-së, por binte ndesh edhe me pritjet që kishin shtetet aleate,sidomos Gjermania dhe SHBA-të nga ajo qeveri, dhe ishte plotësisht në përputhje me interesat e Hashimit, të Kadriut etj., që koalicionet me LDK-në i donin vetëm me kusht që vetë ta drejtonin qeverinë. Është e qartë se Hashimi kishte nënshkruar marrëveshje me LDK-në që kryeministrin ta kishte kjo e fundit nën trysninë ndërkombëtare, sidomos të Gjermanisë dhe SHBA-ve. Pra, në thelbin e kundërshtimit të koalicionit PDK – LDK nuk ka qenë vetë koalicioni si i tillë, por ngaqë drejtimin e qeverisë e kishte LDK e jo PDK, siç kishte ndodhur në dy raste të tjera: gjatë viteve 2002 – 2004, dhe gjatë viteve 2007 – 2010. Se është kështu dëshmon edhe fakti se Arben Gashi, një nga pjesëtarët e grupit të Vjosa Osmanit, në tetor 2015 do të deklarohej pro rishikimit të marrëveshjes së koalicionit me PDK-në, me ç’rast Isa Mustafa do të bëhej president, kurse Hashim Thaçi do të bëhej kryeministër.

3. Një muaj më vonë nga deklarimi i Arben Gashit për rishikim të marrëveshjes PDK – LDK, më 20 nëntor 2015, Vjosa Osmani bashkë me Ilir Dedën do të dalin me një plan pesëpikësh, i cili ishte një plan për grushtshtet institucional dhe ishte i drejtuar jo kundër Hashim Thaçit, por kundër qeverisë së drejtuar nga LDK. Me këtë plan synohej të rrëzohej qeveria, në përputhje me angazhimet diplomatike të Hashim Thaçit dhe të Kadri Veselit që i mëshonin shumë mosunitetit të LDK-së dhe pafuqisë për të marrë vendime të mëdha, dhe angazhimeve anarkiste dhe të dhunshme të opozitës për rrëzimin e asaj qeverie. Të kujtojmë se Ilir Deda ka qenë kuvendar i VV-së, pra me këtë plan bashkëdyzohej aktiviteti kundër qeverisë me opozitën.

4. Çështja e votimit të demarkacionit me Malin e Zi është një çështje që dëshmon për angazhimet e Vjosa Osmanit kundër qeverisë së drejtuar nga LDK. Është kështu për faktin se në përputhje me qëndrimet e opozitës së atëhershme që përdornin këtë çështje si argument për të nxitur masat dhe për të bërë trysni mbi kuvendarët e LDK-së që të mos mbështesnin qeverinë, dhe kështu të bëhej më i lehtë rrëzimi i saj, edhe Vjosa Osmani bënte të njëjtën gjë. Dhe kështu ndodhi: u përdor pretekst mosuniteti rreth demarkacionit me Malin e Zi që PDK të mbështeste mocionin kundër qeverisë së drejtuar nga LDK, e cila tashmë jo vetëm që kishte humbur përkrahjen ndërkombëtare, por edhe nga aleatët shihej si pengesë për marrjen e vendimeve të mëdha. Dhe në humbjen e kësaj përkrahjeje ndërkombëtare, kishte ndikuar mosuniteti i LDK-së i nxitur dhe i udhëhequr nga Vjosa Osmani. Se është kështu, dëshmon edhe fakti se vetëm pak muaj pasi ishte formuar qeveria aktuale, të gjithë kuvendarët e LDK-së në krye me Vjosa Osmanin, që më parë kishin qenë kundër Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, do ta votojnë pa asnjë kundërshtim, gjithnjë në përputhje me interesat e Hashimit, të Kadriut, të Ramushit etj. Koalicioni aktual qeverisës kishte dhe ka vetëm 52 vota dhe sikur grupi i kuvendarëve në krye me Vjosa Osmanin që më parë ishin kundër Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi të vazhdonin të mos e votonin atë, ajo marrëveshje nuk do të ratifikohej dhe kështu kjo qeveri do të binte dhe vendi do të shkonte në zgjedhje. Mirëpo, si vegla të Hashimit që janë, kuvendarët që më parë kishin kundërshtuar Marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, nuk mund të dilnin jashtë misionit të tyre, dëmtimin e LDK-së, mbajtjen më këmbë të qeverisë aktuale. E edhe ky është një argument se Vjosa Osmani dhe veglat tjera të Hashimit, të Kadriut, të Ramushit…, kanë qenë kundër koalicionit PDK-LDK vetëm pse drejtimin e kishte LDK, e jo koalicioni si i tillë. Pra, këta kontribuan që të rrëzohej qeveria e drejtuar nga LDK, për t’ia kaluar të gjitha pushtetet treshes makabre: Hashimi – Kadriu – Ramushi

5. Sjellja politike e Vjosa Osmanit, që nga formimi i qeverisë aktuale, është e kundërt me sjelljet e saj në kohën kur qeverinë e drejtonte LDK: jo vetëm që nuk ka veprime të tipit protagonist kundër kësaj qeverie, por është mjaft e heshtur dhe pjesa “agresive” janë retorikat patetike në Kuvend sa për të mbajtur afër mbështetësit e saj, të cilët mbrëmë i tradhtoi, ashtu siç më parë kishte tradhtuar Fatmir Sejdiun dhe Isa Mustafën.

6. Mirëpo nuk janë vetëm këto argumente publike që dëshmojnë katërçipërisht se Vjosa Osmani po rren, ashtu siç ka rrejte dhe ka manipuluar vazhdimisht. Nuk janë të pakta azganllëqet dhe agresivitetet e Vjosës kundrejt Isa Mustafës, por ajo që do ta deklarojë te Batoni, pikërisht një vit para se ajo dhe veglat tjera të Hashimit që më parë kishin kundërshtuar Marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, ta votonin në mënyrë unanime këtë marrëveshje, pra më 20 mars 2017. Me këtë rast, ajo do të deklaronte “Nuk ia kam frikën, dhe këtë Isa Mustafa e din shumë mirë. Nuk kam frikë as nga ai as nga askush tjetër.”, kurse më pastaj do të thoshte qartë: “Unë kam qenë e vetëdijshme që do të kem pasoja në ditën kur e kam informuar Isa Mustafën që do të votojë kundër Qeverisë dhe do të vazhdoj të kundërshtoj këtë koalicion deri në fund, kur ky koalicion përfundon”. Me çka ajo jo vetëm sa ka konfirmuar konfliktualitetin dhe luftën ndaj isa Mustafës, por edhe qëllimin e qartë që ta rrëzonte qeverinë e drejtuar nga LDK. Ndonëse këtë e ka bërë në përpjekje për të bërë viktimën e paqenë, pasi që nuk kishte thënë askush se nuk do të ishte në listën e kandidatëve për kuvendare të LDK-së në zgjedhjet e vitit 2017, por edhe për shkak se viktimë e makinacioneve të saj dhe të veglave të tjera të Hashimit kishte qenë LDK, e cila suksesin më të madh të pasluftës, do të duhej ta përjetonte si një mallkim.

Pas gjithë këtyre, të deklarosh siç deklaron Vosa se kurrë nuk ka qenë kundër Isa Mustafës, dhe nuk ka votuar kurrë kundër tij, jo vetëm që është pafytyrësi, të cilën e ka element thelbësor të aspekteve karakterologjike të saj, por edhe t’u thuash mbështetësve se ju kam gënjyer kur kam folur dhe ju kam nxitur kundër Isa Mustafës. Ndërkohë që gjatë vtieve 2015 – 2017 ishte krijuar një krijuar një konfliktualitet dhe çarje ndërmjet mbështetësve të LDK-së në ata që ishin me Isa Musafën, dhe në ata që ishin me Vjosa Osmanin!

Është e qartë se deklarata e fundit e Vjosa Osmanit duhet të kuptohet në kontekst të zgjedhjeve të brendshme në LDK, ku ajo vazhdon të ketë pretendime për të marrë kreun e saj, përkundër gjithë dëmeve, tradhtive ndaj LDK-së, mbështetësve të saj,  dhe përkundër shërbimeve që ua ka bërë Hashimit, Kadriut e të tjerëve gjatë viteve, dhe në kontekst kur ka frikë se mos Isa po e mbështet Lutën, të cilin e dogjën duke i bërë publike vetëm një darkë me Sami Lushtakun dhe me të tjerë, e që duket se është djegie për llogari të Vjosës! Kjo do të thotë se ka një projekt për të djegur çiftin e Lutës, pas shërbimeve shumëvjeçare që u ka dhënë të tjerëve, pasi që tashmë është konsumuar, dhe për ta zëvendësuar me gjak të ri, me dikë që mund ta përdorin edhe disa vite.