Vrasja e gruas në Fier, në hetim gjyqtari

05.12.2016 23:23:06

Pas ngjarjes së rëndë, ku një grua u hodh nga dritarja nga bashkëshorti i saj, kanë nisur të merren edhe masat e para. Mësohet se policia ka nisur procedimin penal për shpërdorim detyre ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Shkallës së Parë në Fier, Ergys Selmani.

Gjyqtari akuzohet se ka shkelur ligjin duke neglizhuar zbardhjen dhe dërgimin në kohë të vendimit të mbrojtjes së viktimës institucioneve përgjegjëse.  Liljana Ruko nga Fier u hodh nga bashkëshorti i saj nga kati i katërt i pallatit ku jetonin.

Nisjen e hetimit për gjyqtarin në fjalë e ka përshëndetur përmes rrjeteve sociale ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani.

“Zyrtarisht ka një hetim të çelur ndaj proçesit të marrjes dhe të zbatimit të Urdhërit të Mbrojtjes për Liljana Rukajn. Përshëndes prokurorinë dhe e nxis atë të zbardhë këtë çështje, jo vetëm për të evidentuar përgjegjësit, por edhe për të disiplinuar sjelljen shtetërore për raste të tjera. Ky ishte reagimi i duhur! Këtë gjë kërkova që dje. Tani t’ja lëmë drejtësisë në dorë!”, thotë ai.