Vrasja e Oliver Ivanoviqit parathënie e vrasjeve të tjera, dhe e përpjekjeve për destabilizimin e Kosovës

16.01.2018 15:24:01

Nga Rexhep Kastrati

Oliver Ivanoviq u vra sot në mëngjes në rrethana ende të pasqaruara, ose në rrethana që mbahen sekret për arsye të shumta. Gruaja e Oliver Ivanoviqit, Milena, sipas medieve serbe, të cituara nga ato shqipfolëse në Kosovë, ka thënë se e di kush e ka bërë këtë dhe nuk do të përfundojë me kaq, me çka ka bërë të qartë se mund të ketë informacione se kush mund ta ketë bërë këtë vrasje, sigurisht e informuar që më parë për sulmet që janë bërë ndaj Ivanoviqit.

Në fakt, vrasja e Oliver Ivanoviqit ka pasuar djegien e veturës së tij, vitin e kaluar, por edhe paralajmërimet e tij se serbët kanë frikë nga serbët e jo nga shqiptarët, e që lë për të dyshuar edhe në agjenturat serbe që veprojnë jo veç në veri, qoftë edhe si struktura paralele, qoftë edhe të integruara në institucionet e Kosovës për siguri etj., qoftë edhe në mënyrë ilegale, por edhe serbët që mund të kenë synuar shkëputjen nga politika shoveniste, destabilizuese dhe konfliktuale e Serbisë.

Oliver Ivanoviq ishte pjesë e policisë serbe gjatë luftës dhe i dyshuar e i dënuar për krime ndaj shqiptarëve. Pra ishte pjesë e sistemit gjenocidal serb ndaj shqiptarëve. Nga kjo pozitë, Oliver Ivanoviq ishte emëruar nga Qeveria e Serbisë kryetar i Mitrovicvës dhe në këtë cilësi kishte zhvilluar negociata me Bajram Rexhepin, i cili, nga Hashim Thaçi ishte emëruar prefekt i Mitrovicës, duke vënë që atëherë (1999) bazat e ndarjes së Mitrovicës në dy pjesë të saj.

Edhe pse i arrestuar dhe i burgosur dhe në një proces gjyqësor, Oliver Ivanoviq kurrë nuk kishte pushuar se përfshiri në zhvillimet politike në Kosovë, duke bërë thirrje për unitet të serbëve dhe tëshfryëzojnë përçarjet e shqiptarëve. Po ashtu, Oliver Ivanoviq kishte paralajmëruar shumëherë mundësinë që shqiptarët të mësyjnë veriun dhe të vrasin popullatën serbe. Pra, edhe atë kohë (2015 e në vijim), Oliver Ivanoviq ishte i përfshirë në skenarë serbë për destabilizimin e Kosovës, e për të cilët kam paralajmëruar dhe kam shkruar vazhdimisht.

Mund të jetë paradoksale, por Oliver Ivanoviq mund të jetë viktima e parë e vitit 2018, e skenarëve serbë për destabilizimin e Kosovës, pra mund të jetë vrarë pikërisht për zbatimin e skenarëve për të cilët kishte folur vetë Ivanoviq.

Duhet të kujtojmë se kam theksuar vazhdimisht se Serbia ka qenë e përfshirë dhe është e përfshirë në skenarë për destabilizimin e Kosovës dhe në zhvillimet e viteve 2015-2016 me qëllim futjen e çarjeve brendashqiptare drejt një konflikti dhe lufte brendashqiptare që do të shërbente si mundësi për rikthimin e Kosovës në gjendjen e vitit 1999, përkatësisht për zbatim skenarësh ukrainas në Kosovë.

Fatkeqësisht në skenarë të këtillë ka qenë dhe vazhdon të jetë e përfshirë edhe linja e Tiranës/Kretës dhe ajo udbasho-jugosllavaokomuniste, të cilët kanë qenë të përfshirë edhe në zhvillimet e dhunshme të 17-18 marsit 2004.

Konotacionet politike, diplomatike dhe të gjeopolitikës të vitit 2004, prandaj duhet pasur gjithnjë në vëmendje në shqyrtimet e zhvillimeve në vend, aq më tepër kur kjo vrasje ndodhi ditën kur rifilluan negociatat në Bruksel, dhe vetëm një ditë pasi që Kadri Veseli “kërcënoi” Serbinë me Nish nëse do t’ia mësynte Kosovës.

Është për të theksuar se gjatë viteve 2015-2016, Serbisë i ishte kujtuar dhe i ishte kërkuar zbatimi i Kapitullit 35, e që de facto e detyronte atë ta braktiste Kosovën, pra që të ndërtonte marrëdhënie të mira fqinjësore, të mos e pengonte Kosovën drejt anëtarësimit të saj në organizma ndërkombëtarë dhe të zbatonte marrëveshjet e Brukselit.

Po ashtu, në planet strategjike të Serbisë, për vitin 2018 ishte paralajmëruar mundësia që Republika Srpska të shkëputej nga Bosnja, e që në një farë mënyre u paralajmërua edhe më 9 janar, ditën e saj.  Ky synim i Serbisë bie ndesh me të drejtën dnërkombëtare, me Marrëveshjen e Dejtonit të vitit 1995, si dhe në kundërshtim me parimet e Komisionit të Badinterit për mosndryshimin e kufijve ndrëmjet shteteve të dala nga ish-Jugosllavia.

Gjatë tërë kohës kam paralajmëruar se Serbia ka synuar dhe synon që të destabilizojë rajonin nëpërmjet Kosovës, ose nëpërmjet shqiptarëve në Maqedoni, në mënyrë që përgjegjësinë për thyerjen e së drejtës ndërkombëtare t’ua faturojë shqiptarëve dhe pasojat t’i bartin ata e jo Serbia dhe serbët.

Mundësia që Gjykata Speciale të funksionalizohet dhe të fillojnë arrestimet e para, si dhe mundësia që të dështojë shfuqizimi i saj nëpërmjet Kuvendit të Kosovës, po ashtu, është një çështje shumë e ndjeshme, sepse në këtë mënyrë, ka gjasë që të zbulohen vrasje të ndryshme, aktorë dhe faktorë që kanë kryer këto vrasje, e që mund të dekonspirojnë edhe njerëz me pushtet shtetëror dhe partiak në Kosovë dhe në Serbi, Maqedoni etj., për lidhjet që kanë pasur dhe kanë me agjentura serbe dhe me agjentura të tjera kundërshqiptare.

Gjithsesi duhet të kemi parasysh se veriu i Kosovës është një nga qendrat e fuqishme të mafias, të shërbimeve të ndryshme sekrete dhe të institucioneve të tjera të shteteve të ndryshme, që nuk kanë pushuar së vepruari në atë pjesë dhe në Kosovë në përgjithësi.

Vrasja e Oliver Ivanoviqit, është vetëm një paralajmërim, dhe mund të jetë vetëm një parathënie për vrasje të tjera të serbëve, por edhe të shqiptarëve, apo thënë më drejt, më shumë të shqiptarëve, edhe për të thelluar konfliktualitetin politik brendashqiptar, edhe për t’i eliminuar të akuzuarit e mundshëm, por edhe dëshmitarët e ndryshëm që mund të dëshmojnë në Gjykatën Speciale.