Vuçiq: Në Berlin do të jetë vështirë për Serbinë, por nuk e nënshkruaj njohjen e Kosovës

13.04.2019 16:58:17
Përderisa po përballet me protesta të mëdha kundër tij, presidenti serb, Aleksander Vuçiq ka folur edhe një herë për takimin e 29 prillit në Berlin me udhëheqësit kosovarë.

Ai ka ripërsëritur edhe njëherë se nuk do të ketë vazhdim të dialogut pa heqjen e taksës nga Qeveria e Kosovës.

Sipas tij, takimi i 29 prillit në Berlin do të jetë shumë i vështirë për Serbinë.

“S’ka vazhdim të dialogut pa heqjen e taksës. Takimi i 29 prillit në Berlin do të jetë ekstremisht i vështirë për Serbinë”, ka thënë ndër të tjera Vuçiq.

Vuçiq po ashtu ka thënë se janë vetëm spekulime mediatike të opozitës deklaratat se Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.

Kujtojmë se më 29 prill në Berlin do të ndodhë takimi i liderëve të Ballkanit me ftesë të kancelares gjermane, Angela Merkel.

Aty do të jenë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi si dhe kryeministri Haradinaj, bashkë me homologët e tyre serbë.