Yuri Kim flet për Metën: Vlerësoj qëndrimin për zgjedhoren

29.05.2020 21:13:44

Ambasadorja amerikane Yuri Kim vlerësoi deklaratën e presidentit Ilir Meta, i cili u bwri apel palëve politike që të përfundojë Reformën Zgjedhore brenda 31 majit, sepse në të kundërt do të ketë pasoja të mëdha në procesin e integrimit.

Kim ripostoi deklaratën e kreut të shtetit në Twitter, e shkroi: “Faleminderit Zoti President për inkurajimin tuaj!”

Anëtarët e Këshillit Politik prej dy ditësh u ngujuan në ambientet e Pallatit të Kongreseve në tentativën për të gjetur konsensusin për reformën zgjedhore.

Ende pa u mbyllur diskutimi i dytë, presidenti i Republikës Ilir Meta në një konferencë për mediat deklaroi se do të firmos datën më të afërt për zhvillimin e votimeve.

Aktorët politikë kanë rënë dakord që zgjedhjet të mbahen në 2 periudha, nga 15 prill në 15 maj ose gjatë vjeshtës nga 15 tetori deri më 15 nëntor.

Por nëse do të ketë dhe riformatim të KQZ apo depolitizim të komisionerëve, shanset që dekreti të jetë në vjeshtë minimizohet, duke e lënë datën 18 prill si mundësia më e afërt.

Kreu i Shtetit tha se këtë vendim, do ta marrë pa konsultime formale me partitë politike.