Zbulohet identiteti i sulmuesit që la të vdekur tre persona në Munster të Gjermanisë

07.04.2018 20:48:20
Në një sulm të dyshuar me një kamion të vogël në Munster dhjetëra njerëz janë plagosur. Katër vetë vdiqën, duke përfshirë edhe shoferin.

 

 

Të paktën tre persona janë vrarë, pasi një furgon ka goditur turmën në qytetin perëndimor, Munster të Gjermanisë, ka njoftuar Ministria e Brendshme.

Zëdhënësi i Policisë, Andreas Bode u ka thënë gazetarëve se shoferi i makinës e ka vrarë vetën, pas përplasjes me turmën.

Ai ka thënë se ende nuk dihet identiteti i të dyshuarit dhe ka shtuar se është ende herët të spekuluar për motivin e këtij sulmi.

Mirëpo, sipas mediave gjermane, tashmë është zbuluar identiteti i sulmuesit.

Sipas BILD-it, sulmuesi është gjermani Jens R, 48 vjeçar, transmeton lajmi.net.

Sipas kësaj gazete, gjermani nuk kishte të kaluar kriminale, por dyshohet se ka qenë i sëmur mental.

Policia ka thënë se disa objekte të dyshimta janë gjetur në furgon, por ende janë duke i ekzaminuar për të parë nëse këto objekte janë të rrezikshme.

Sipas edicionit online të revistës Spiegel, autoritetet gjermane dyshojnë se personi që kreu sulmin kishte probleme psikike, shkruan lajmi.net.

E përditshme gjermane, Sueddeutsche Zeitung, transmetuesi publik gjerman, ZDF dhe agjencia DPA, kanë raportuar se shoferi i furgonit është me kombësi gjermane. Mediat gjermane raportojnë se ai ka pasur probleme psikologjike dhe se ky incident nuk ka motive terroriste.