LDK del nga koalicioni me LVV-në, nis mocionin për rrëzimin e Qeverisë Kurti

18.03.2020 20:01:41

Lidhja Demokratike e Kosovës ka vendosur të dalë nga koalicioni qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje, pas vendimit të sotëm të kryeministrit Albin Kurti që të shkarkojë Agim Veliun nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.

Kryesia e LDK-së ka vendosur të inciojë mocion për rrëzimin e Qeverisë Kurti për shkak të mos heqjes së taksës, dhe vendimeve të njëanshme të kryeministrit Kurti, që kanë shkelë marrëveshjen e koalicionit, raporton Telegrafi.

“Sot ka ndodhur një veprim i papritur e i pa paralajmëruar nga kryeministri Kurti, në kundërshtim me marrëveshjen, se duhet të konsultohet me mua nëse ka vërejtje për ndonjërit nga ministrat. Ishte një vendim arbitrar. Ky vendim na tregon që zotëri Kurti nuk dëshiron të abshkëpunoj me ne. Ne Kemi vendosur të nsim një mocion votëbesimi për këtë”, tha kryetari Mustafa në Konferencën për medie pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot e ka shkarkuar nga detyra ministrin Veliu, me pretekstin se ky i fundit, u deklarua kundër qëndrimit të kryeministrit të Republikës së Kosovës mbi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të situatës me coronavirus dhe se, sipas tij, Veliu ka përhapur panik, duke thënë se “numri i të prekurve po rritet prej ore në orë”.

Ky vendim i kryeministrit Kurti ka bërë që të mblidhet kryesia e LDK-së e cila në një mbledhje maratonike ka vendosur që të dalë nga koalicioni qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje.