“Kosova ka dhënë kontribut të veçantë edhe në luftën kundër terrorizmit”

09.03.2017 09:58:39

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, në Cyrih të Zvicrës, mori pjesë në Sesionin e shtatë plenar kushtuar luftës kundër ekstremizmit të dhunshëm, të organizuar nga Forumi Global për Luftimin e Terrorizmit.

Në njoftimin e dërguar thuhet se ministrja Hoxha, në panelin e Forumit, diskutoi për rrezikun nga terrorizmi global dhe theksoi përkushtimin për fuqizimin e sundimit të Ligjit dhe luftimin e krimit të organizuar duke cekur në veçanti për punën rreth Kodit Penal, Procedurës Penale dhe zbatimin e dënimeve për veprat e lidhura me ekstremizmin.

“Jemi duke rishikuar legjislacionin, me qëllim të fuqizimit të sundimit të ligjit. Ky rishikim ka prioritet ligjet të cilat japin efekte në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Vendi ynë, ka dhënë kontribut të veçantë edhe në luftën kundër terrorizmit duke iu bashkëngjitur aleancës globale kundër terrorizmit”, theksoi ministrja Hoxha.

Në njoftimin e dërguar po ashtu thuhet se ministrja Hoxha, mori përkrahje për angazhimin e vendosur për të mbështetur sundimin e ligjit, duke siguruar transparencë, qasje, llogaridhënie në sistemin e drejtësisë, vazhdimisht duke respektuar të drejtat e njeriut.