Vazhdon beteja mes palëve në nivel ndërkombëtar.
Ndërsa Edi Rama mori nderimin e lartë në Francë, kryetari i opozitës, Lulzim Basha gjendet në Maltë për të marrë pjesë në Kongresin e Partive Popullore Europiane, forumit të partive të djathta europiane.
Jo vetëm kaq, por Basha do të mbajë një fjalim ditën e sotme, që shënon ditën e parë të Kongresit.
Një fjalim do të mbajë edhe kryeministri kosovar, Kongresin e Partive Popullore Europiane
Ndërkohë çështja e miliarderit George Soros dhe ndërhyrjes së tij në çështjet e brendshme të Shqipërisë dhe vendeve të tjera në lindje, vazhdon të preokupojë median e huaj.
Pretendimet për ndërhyrjen e ambasadorëve amerikanë dhe fondacionit të George Soros në punët e brendshme të disa vendeve ballkanike, janë kthyer në një çështje serioze në Capitol Hill.
6 senatorë i kanë kërkuar Sekretarit të Shtetit, Rex Tillerson të hetojë aktivitetet e ambasadave amerikane dhe misioneve të USAID-it në mbështetje të demokracive rreth botës.
Por për drejtorin e iniciativës “Shoqëria e Hapur për Evropën”, themeluar nga Sorosi, Goran Buldioski, këto nuk janë gjë tjetër veçse teori konspirative.
Letra e senatorëve fokusohet tek përpjekjet e dy ambasadorëve amerikanë në Maqedoni dhe Shqipëri në mbështetje të demokracisë, duke nënkuptuar se ata kanë ndërhyrë në politikën e brendshme për të favorizuar të majtën.
Ndërsa fondacioni “Shoqëria e Hapur” i Sorosit në Maqedoni dhe Shqipëri, akuzohet si ndërmjetësues i kësaj përpjekjeje.
Në një shkrim për “Foreign Policy”, Buldioski i bën thirrje Sekretarit të Shtetit të shpërfillë pretendimet, që sipas tij janë jo vetëm të pabaza, por i bëjnë jehonë pikëpamjeve të Kremlinit dhe mbështesin agjendën e elementeve të korruptuar në rajon.
Autori i shkrimit, që është shtetas maqedonas, thotë se Gruevski duke mos dashur të marrë përgjegjësinë për krimet dhe krizën politike, po ia hedh fajin BE-së, duke kërkuar mbështetje te Moska. Sorosi që bashkë-financon organizata të pavarura, me donatorë të tjerë privatë, është bërë, sipas Buldiovskit, dash kurbani.
Ai shton se duke mbështetur pretendimet, senatorët po e çojnë retorikën e Putinit drejt e në Capitol.
Sa i përket Shqipërisë, autori pretendon se fondacioni “Shoqëri e hapur” nuk ka pranuar dhe as administruar fonde të USAID-it, siç pretendojnë senatorët.
Ai nuk e ka krijuar dokumentin strategjik për reformën në drejtësi, siç thuhet në letër, por mbështeti procesin duke financuar komisionin dhe duke i ofruar atij suport teknik








































