Kryeministri Mustafa nëpërmjet një postimi në facebook ka njoftuar për takimin me ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë. Sigmar Gabriel, me të cilin kanë biseduar për çështje të ndryshme me rëndësi për vendin, për marrëdhëniet e ndërsjella dhe me rëndësi rajonale.
Në këtë takim, u diksutua edhe për çështjen e miratimit të demarkacionit me Malin e Zi, si kusht për të zhbllokuar procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Në këtë postim, kryeministri Mustafa rithekson se Gjermania është një prej pratnerëve kryesorë strategjikë të Kosovës.
“Prita sot në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Sigmar Gabriel, i cili na e konfirmoi përkahjen e parezervë të Gjermanisë për Kosovën dhe popullin e saj.
E falënderova për kontributin e shumanshëm të Gjermanisë në të gjitha fazat dhe për përkrahjen aktuale që po jep në zhvillimin ekonomik, proceset eurointegruese, avancimin e stabilitetit në rajon dhe shumë fusha të tjera.
Biseduam edhe për çështjen e liberalizimit të vizave dhe përkrahjes së Gjermanisë në këtë proces, me ç’rast mesazhi i zëvendës kancelarit Gjerman ishte i qartë dhe mbështetës.
Ne duhet ta miratojmë në Kuvend Marrëveshjen e shënjimit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi duke i hapur udhë qytetarëve tanë për lëvizjen e lirë në vendet e BE-së.
Gjermania është një prej partnerëve kryesor strategjik të Republikës së Kosovës dhe miqësia ndërmjet dy vendeve është vazhdimësi e marrëdhënieve shumëvjeçare të dy popujve tanë.” – thuhet në postimin e kryeministrit Mustafa.










































