Pas më shumë se 3 orësh ka përfunduar takimi kokë më kokë mes kreut të PD-së, Lulzim Basha dhe kryeministrit Rama në Kryesinë e Kuvendit.
Pas takimit, Basha ka qenë ai që ka folur duke thënë se ka një marrëveshje, duke u bazuar te paketa “McAllister”, por që kjo do të detajohet pas 24 orësh.
Të njëjtën gjë ka konfirmuar edhe kryeministri Rama, i cili ndodhej në krah të Bashës ndërsa deklaronte rezultatin pozitiv të takimit. “Jam dakord 100% me ato që tha shefi i opozitës”, – theksoi Rama.
Në fund, dy liderët politikë, i kanë dhënë dorë njëri-tjetrit si për të treguar se kriza politike tashmë është zgjidhur dhe mbetet për t’u përcaktuar vetëm data e zgjedhjeve, e cila me shumë gjasë duhet të jetë 16 korriku, të paaktën sipas paketës “McAllister”.
Menjëherë më pas Basha ka shkuar në çadrën e opozitës për t’u dhënë lajmin e mirë protestuesve që e prisnin prej disa orësh.