A është punë që pret dialogu Kosovë – Serbi?

27.04.2021 13:59:07
Nga Muhamet Hamiti
Me një fjalë me tingëllim më të fortë kuptimor (‘urgjencë’), pyetja që shtrohet është: a ka urgjencë në këtë punë? Sidomos kur as punët e tjera të qeverisjes së vendit, madje as pandemia që po bën kërdi në vend, nuk është se janë marrë me urgjencë nga Qeveria e re e Kosovës.
Nga Departamenti i Shtetit amerikan u kërkua dje (e hënë, 26 prill) një ri-angazhimi i palëve, i Kosovës dhe i Serbisë, në këtë proces, “with a sense of urgency to address both technical and political issues”, domethanë me sensin e një pune që kërkon veprim pa vonesë për t’u rrokur me çështje teknike dhe politike.
Për kujtesë: dialogu Kosovë-Serbi para 10 vjetësh ka pasë nisur si dialog për çështje teknike, që më vonë u kthye në dialog për çështje politike, ndërsa Serbia, në ndërkohë, u përpoq ta kthente madje në dialog për çështje statusi. Natyrisht këtë të fundit s’e pranon kush.
Duket se BE-ja dhe SHBA-të janë në ujdi për nevojën që dialogu Kosovë-Serbi për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet të të dyja vendeve dhe arritje të një marrëveshjeje obligative të marrë dinamikë të re. Ish-Presidenti Trump dhe Presidenti Biden e kanë vënë theksin te njohja e ndërsjelltë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si bosht i marrëveshjes, duke vënë theksin edhe te ‘fleksibiliteti dhe kompromiset e vështira që kërkohen’ në këtë rrugë, siç u shpreh Presidenti Biden në letrën dërguar Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani.
Në komunikime me Kurtin e Osmanin, madje edhe dje, në vigjilie të nisjes së Kryeministrit tonë për në Bruksel sot, zyrtarë e SHBA-ve e kanë përçuar mesazhin se dialogu është punë me prioritet të lartë.
Në fushatë elektorale dhe mbas zgjedhjes së Qeverisë, drejtuesit aktualë të vendit janë krekosur koti se dialogu është poshtë në rendin e prioriteteve të pushtetit të ri (në vendin e 5-të a të 6-të).
Mbasi program Qeverie s’ka ende, disa javë mbasi e mori detyrën, pasi mbaroi aventura donkishoteske e Kurtit në zgjedhjet në Shqipëri (luftoi me mullinj të erës atje, siç po duket), Qeverisë e Presidencës së Kosovës prioritet numër 1 duket se iu bë dialogu – natyrisht pa dashje – sepse nuk e kishin menduar mirë këtë punë. Duket të jenë të papërgatitura, për fat të keq.
Tashti që jemi ku jemi, Kosova duhet të përgatitet për përballje të fuqishme në këtë fazë vendimtare të dialogut. Është punë e Qeverisë së Republikës së Kosovës të bëjë platformë për dialogun me Serbinë – që s’e ka bërë ende, sa po shihet – dhe, në angazhim me lehtësuesin (BE-në), me përkrahje të SHBA-ve, që Kosova të sigurojë marrëveshje për njohje nga Serbia me të cilën Serbia njeh realitetin e Kosovës së pavarur e sovrane, ndërsa pavarësia, sovraniteti dhe integritetit territorial, por edhe funksionaliteti i shtetit tonë, mbeten të pacenuara. Natyrisht, një vend që ka garancione tashmë dhe mbron në nivelin më të lartë të drejtat e komuniteteve joshumicë.
Puna e opozitës do të jetë që të mbikëqyrë punën e Qeverisë në Kuvend, që marrëveshja me Serbinë ta forcojë Kosovën. Opozita duhet të luajë rolin e fuqishëm të siguresës për Republikën e Kosovës si zgjidhje të përhershme, në paqe me veten e me fqinjtë, në synimet për integrime euro-atlantike dhe për anëtarësim të plotë në sistemin ndërkombëtar.