Abdixhiku takohet me përfaqësues të lartë të BE-së, diskutohet për sigurimin e vaksinave kundër COVID-19

13.04.2021 21:18:17

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku bashkë me nënkryetaren Shqipe Mjekiqi -Sadiku, kanë zhvilluar një takim miqësor me përfaqësues të lartë të BE-së.

LDK bën të ditur se në takim ishte Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi, Olivér Várhelyi, Zëvendës Kryetari i Grupit të PPE për Zgjerim, Ballkanin Perëndimor dhe Fqinjësi Jugore në Parlamentin Evropian, Andrey Kovatchev, dhe një numër eurodeputetësh e raportuesish nga Parlamenti Evropian.

Siç njofton LDK, përfaqësuesit e BE-së vlerësuan lart pjesëmarrjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës në procesin e votimit dhe përgëzuan kryetarin Abdixhiku për rolin konstruktiv që LDK ka luajtur duke i hapur rrugë zgjedhjes së Presidentes.

“Po ashtu, njoftuan kryetarin Abdixhiku që BE-ja është duke finalizuar përpjekjet që, përveç kanalit COVAX, shumë shpejt të sigurojë vaksina shtesë për Kosovën dhe vendet tjera të rajonit. Kryetari Abdixhiku falënderoi përfaqësuesit e BE-së për mbështetjen që ka dhënë BE për Kosovën duke theksuar nevojën për liberalizimin e vizave për qytetarët e vendit dhe një përshpejtim të procesit të integrimit”, thuhet në njoftimin e LDK-së.