Ardhja e Trump, ekspertja britanike: Rusia mund ta njohë Kosovën

26.01.2017 20:13:32

Skenarët mbi linjën që do të ndjekë Donald Trump në Ballkan, e veçanërisht në raport me serbët dhe Kosovën, janë të shumtë.

Në një shkrim të tijin për revistën “Foreign Policy”, gazetari dhe publicisti amerikan Thomas E. Ricks paralajmëronte mbi rrezikun e një lufte të hapur. “Dëshira e presidentit amerikan Donald Trump për të shmangur konfliktet me Moskën mund të ketë pasoja për të ardhmen dhe stabilitetin e një sërë shteteve dhe Kosova është një prej tyre”, shkruante publicisti.

Për Ricks, zgjedhja e Trumpit president hedh dyshime mbi gadishmërinë e Shteteve të Bashkruara për ta mbrojtur Kosovën. Por ekspertja britanike Mary Dejevski, e para që hodhi idenë se mund të ndodhë pikërisht e kundërta, i rikthehet tezës së saj me argumente shtesë. Në një intervistë për radion Europa e Lirë, Dejevski thotë se Moska mund ta njohë Kosovën në këmbim të Krimesë.

Bindja e saj është se për Perëndimin, që i ka vënë sanksione Rusisë, do të ishte më produktive të shihet se çfarë mund të merret në shkëmbim të pranimit se Krimeja nuk do t’i kthehet Ukrainës. “Lidhjet e kahershme historike, kulturore dhe emocionale ruso-serbe nuk do të humbasin asnjëherë, por ato thjesht nuk do të mund të ndikojnë përgjithmonë në njohjen e Kosovës si shtet i pavarur”, arsyeton britanikja, njohëse shumë e mirë e problematikave ruse.

Kur Rusia aneksoi Krimenë, kujton ajo, pati shumë fjalë se veprimin e saj do ta justifikonte me ndryshim të kufijve ashtu siç bëri Perëndimi kur i lejoi Kosovës të dilte si shtet më vete. “E mbase tani kjo do të ishte zgjidhja më e mirë për të gjithë, njohja e statusit të njërës në këmbim të njohjes së statusit të tjetrës”, vazhdon Dejevski.