Siria i ka kthyer Francës titullin e Legjionit të Nderit, me të cilin ishte nderuar presidenti sirian, Bashar al-Assad. Vendimi i Sirisë ka ardhur vetëm disa ditë pasi Parisi ka treguar se është duke punuar për tërheqjen e titullit.
“Presidenti sirian, Bashar al-Assad nuk ndihet i nderuar me një dekoratë të tillë nga një shtet që është skllav i Shteteve të Bashkuara që mbështet terroristët”, është thënë përmes një deklarate nga zyra e Assadit.
Ky vendim i zyrës së Assadit ka ardhur pasi Franca ka qenë pjesëmarrëse në sulmet e udhëhequra nga SHBA-ja që kanë pasur cak zonat qeveritare. Çmimi është kthyer në Francë përmes ambasadës rumune në Damask.
Assad ka pranuar këtë titull nga ish-presidenti francez, Jacques Chirac më 2001, pak kohë pasi Assad ka nisur udhëheqjen si pasojë e vdekjes së babit të tij, Hafez al-Assad.
Zyra e presidentit francez, Emmanuel Macron, ka njoftuar më 16 prill për një “procedurë disiplinore që është duke vazhduar për tërheqjen e çmimit Legjioni i Nderit”.