Avdullah Hoti: Vendi nuk mund të qeveriset nga koalicioni i pakicës, i cili nuk ka legjitimitet

19.07.2018 16:34:24

Pas ndërprerjes së seancës së Kuvendit të Kosovës, reagon Avdullah Hoti në konferencë për media, ku thotë se  koalicioni qeverisës ka pasur shumicën parlamentare vetëm në ditën kur u zgjodh Qeveria, dhe në asnjë ditë tjetër pos saj.

Si e tillë sipas Hotit ky koalicion nuk ka legjitimitet, dhe vendi nuk mund të qeveriset nga koalicioni i pakicës.

Grupi Parlamentar i LDK-së nuk do të përkrahë vazhdimin e kësaj forme të qeverisjes, ku një pakicë ka uzurpuar institucionet shtetërore.
Vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja që të mos dëmtohet demokracia.
Gjuha e ashpër dhe fyese e koalicionit të pakicës ndaj partive opozitare e thellon më tutje krizën institucionale, transmeton fokusi.org.

Hoti dhe LDK ftojnë për përgjegjësi politike dhe institucionale nga të gjithë, duke u zotuar se do të punojnë me të gjitha forcat politike opozitare dhe forcat e tjera progresive në Kuvendin e Kosovës që të dalim nga kjo krizë institucionale, vetëm përmes organizimit të zgjedhjeve të lira.
Insistimi për të vazhduar me këtë dhunim të demokracisë do të dëmtojë proceset afatgjate politike në Kosovë./fokusi.org/