Avioni i drogës, “Corriere”: Guido Guidi ka filluar të flasë!

28.01.2017 17:21:36

“Fillimisht kishte qëndruar në heshtje deri sa mohonte gjithçka, duke filluar që nga 200 kilogramët e marijuanës në avionin e tij turistik, i cili thuajse u përplas në shtator ndërsa ulej në një rrip toke në Ishëm, pranë Durrësit”.

Kështu nis shkrimi i “Corriere della Sera”-s, e cila në një artikull të zgjeruar hedh dritë mbi Guido Andrea Guidin, italianin i cili u kap teksa po testonte vendin nga ku do të transportonte drogë nga Shqipëria drejt Italisë.

Avioni i pilotit italian i rrëzuar në Ishëm

Gazeta prestigjioze italiane, shkruan po ashtu se piloti 68-vjeçar ka filluar “të flasë”, aq sa ka vënë në alarm “malavitën” shqiptare, e cila e rekrutoi për mision të trafikut të drogës nga ajri.

“Guidi ka filluar të nxjerrë emra, aq sa ka detyruar hetuesit e Tiranës t’i marrin pasaportën, ta mbajnë nën mbrojtje absolute dhe ta fshehin në vende sekrete për të shmangur ndonjë hakmarrje të mundshme”, – vijon “Corriere”.

Guidi u lidh me “narkotrafikantët e Ballkanit” për të sistemuar disa probleme financiare. “Kontrata parashikonte transportin e drogës nga Shqipëria në Lombardi, – vijon e përditshmja italiane, – me destinacion final tregun e Milanos. Udhëtimet do të paguheshin 20 dhe 25 mijë euro me udhëtime “inkonjito” (fluturim në kuotë të ulët për të mos u diktuar nga radarët), me zbritje në disa aeroporte si turist dhe me ngarkesën e marijuanës për t’ia dorëzuar anëtarëve të organizatës”.

Artikulli i gazetës italiane “Corriere della Sera” për Guidin

Sipas gazetës, menaxheri milanez kishte menduar të organizonte të largohej nga Ishmi pas rrëzimit të avionit, por pa mbështetjen e organizatës ishte e vështirë. “Ndoshta ishte i sigurt se me kohën do të lirohej, ose çështja do të pushohej, – nënvizon “Corriere”. – Por në fakt gjërat u përkeqësuan menjëherë, edhe për shkak të zbulimit të një blloku shënimesh në xhepat e 68-vjeçarit, i cili mban emra “të nxehtë”, që duket se janë të personazheve të njohur në jetën publike shqiptare”.