Basha do rrëzimin e Ramës, thotë se shkeli kontratën me shqiptarët

15.10.2016 20:15:14

Kreu i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, ka adresuar një serë kritikash kundrejt qeverisjes së kryeministrit Edi Rama.

Basha ka akuzuar Ramën se është duke shkelur kontratën me qytetarët e vendit dhe po bashkëqeverisë me krimin.

“E ka shkelur kontratën me shqiptarët sepse premtoi rend dhe siguri. Por në fakt erdhi në pushtet me krimin dhe prej asaj dite i shërben dhe shërbehet nga krimi dhe kur ne denoncojmë ka guxim të thotë se opozita është më e keqe e krimi.

Sigurisht që për Edi Ramën opozita është më e keqe se krimi, se me krimin drekon, me krimin darkon, me krimin gdhihet, me krimin ngryset, me krimin i ka të gjithë pazaret”, tha Basha.  Sipas Bashës, Rama nuk ka përmbushur asnjë nga premtimet të cilat ai kishte bërë para mbajtjes së zgjedhjeve.

“Nga njëra anë iu premtoi shqiptarëve që buxhetin do ta kishte për shqiptarët, për të ulur taksat, për të rritur rrogat, për të rritur pensionet, për shëndetësinë falas, për legalizime falas dhe ditën që mori pushtetin e shiti buxhetin tek klientët e tij”, u shpreh Basha.