BE shqyrton sanksione të reja kundër Koresë Veriore

04.07.2017 20:54:22

Bashkimi Evropian po shqyrton vendosjen e sanksioneve të reja kundër Koresë së Veriut pas lansimit të sotëm të raketës së re balistike, deklaroi zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiq. BE do të përgatisë përgjigjen e duhur përfshirë edhe masat e mundshme restriktive, përkatësisht sanksioneve, thuhet në kumtesën e BE-së.

Kocijançiq i ka bërë thirrje Pjong-jangut që të ndërpresë çdo lansim të raketave dhe një herë e përgjithmonë të heqë dorë nga programi i raketave të saja balistike në mënyrë të plotë, të besueshme dhe të pakthyeshme.

Pjong-jangu njoftoi sot se ka testuar me sukses raketën ndër-kontinentale.

Por, Kocijançiq tha se lansimi i raketës paraqet shkelje flagrante të shumë rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe se tash për tash nuk është konfirmuar nëse raketa me të vërtetë ka diametër ndër-kontinental.

Shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini do të bisedojë ditëve të ardhshme me ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve partnere për përgjigjen ndërkombëtare, përfshirë edhe masat e mundshme të reja të KS të OKB-së, të cilat i ka kërkuar presidenti jugkorean Mun Dae-in.

BE i bën thirrje Koresë Veriore që të përmbahet nga çfarëdo aksioni, i cili mund të ngritë tensionet rajonale dhe në masë të mirë të përfshihet në dialogun e besueshëm me qëllim të de-nuklearizimit të Gadishullit Korean, thuhet në kumtesën e zëdhënëses së BE-së.