Bie nën 200 mijë numri i ushtarëve amerikanë të stacionuar jashtë vendit

14.01.2018 19:28:45

Për herë të parë pas 6 dekadave

Numri i ushtarëve aktivë amerikanë, të stacionuar jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka rënë nën 200 mijë, për herë të parë pas gjashtë dekadave.

Ky zvogëlim i numrit të ushtarëve është regjistruar në disa shtete, përfshirë këtu edhe Korenë e Jugut, shtet ky i cili ishte në qendër të vëmendjes, për shkak të tendosjeve mes Uashingtonit dhe Koresë së Veriut.

Sipas raportit më të ri të shërbimit për statistika të ministrisë amerikane të mbrojtjes, në kuadër të përbërjes aktive të ushtrisë amerikane veprojnë mbi 1.3 milionë ushtarë. Prej tyre, 15 për qind janë të stacionuar jashtë kufijve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës

. Më së shumti ushtarë amerikanë janë të stacionuar në Japoni, apo 44 mijë, në Gjermani 34 mijë dhe 23 mijë të tjerë janë të stacionuar në Korenë e Jugut.

Numri i ushtarëve amerikanë ka rënë dukshëm në Gjermani, ku në vitin 1962 kanë shërbyer mbi 274 mijë ushtarë amerikanë.

Gjatë gjashtë dekadave të kaluara, më së shumti ushtarë amerikanë kanë shërbyer jashtë vendit gjatë kohës së luftës në Vietnam. Në vitin 1967, jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë shërbyer mbi 1 milionë e 200 mijë ushtarë amerikanë.