Bushati: Tentativa e Ramës për të kopjuar kryqëzatat idiote të Erdoganit

13.12.2016 18:23:42

Analisti, Andi Bushati kritikon nismën më të fundit të qeverisë “Rama” për të bllokuar faqet informative të paregjistruara gjatë fushatës elektorale, nisur nga ajo çfarë ndodhi në SHBA, ku shumë lajme të pavërteta për Hillary Clinton u përhapën pak ditë para zgjedhjeve.

Bushati shkruan se, “tashmë nuk përbën më asnjë çudi, që njësoj sikurse “vëllai i tij” Erdogan, Edi Rama i urren, mediat kundërshtare”.

“Ai ka bërë një sërë tentativash ligjore, që nga përfshirja e shpifjes në Kodin Penal e deri tek projektligji që i trajtonte mediat online njësoj si të brendshmet seksi që blihen në internet, vetëm e vetëm për ti dhënë një kornizë ligjore, betejës së tij verbale me portalet e kazanit”, shprehet analisti.

“Pikërisht kësaj mendësie i është shtuar se fundi edhe një nismë për të mbyllur faqet online gjatë fushatës elektorale. Ajo parashikon që shpërndarësit kryesor të internetit në Shqipëri të bllokojnë pa urdhër gjykate ato media online, që bëjnë propagandë elektorale dhe që për më tepër janë të paregjistruara.”

Bushati duke bërë një paralele mes veprimeve të Ramës dhe Erdoganit pas protestave në parku Gezi, u kthye në qesharak me bllokimin e YouTube, Facebook dhe Twitter dhe si njerëzit morë masa për të shmangur bllokimin e këtyre rrjeteve, shkruan te “Lapsi.al”.

“Pa arritur deri këtu, as Edi Rama nuk e fiton dot betejën që e ka aq për zemër me mediat online. Më shumë sesa një realitet i arritshëm, ajo është një përpjekje qesharake. Vetëm një tentativë e kotë për të kopjuar kryqëzatat idiote të Erdoganit. Vetëm një dëshmi më shumë, që na tregon se deri ku mund të shkojë Edi Rama, për të luftuar me ata që nuk e pëlqejnë”, përfundon Bushati.